Futboll

Isak në histori – Lojtari më i shtrenjtë në Premier League

Nga Gazeta Si – Liverpool ra dakort të shpenzojë 125 milionë paund ose 144.27 milionë euro për suedezin e Newcastle United, Alexander Isak.

Shifrës rekord për një lojtar në Premier League pritet ti shtohen edhe 5 milionë paund të tjerë ose 5.77 milionë euro në formë bonusesh.

Isak do ti nënshtrohet vizitave mjekësore përpara se të firmosë për 6 vitet e ardhshme në “Anfield Road”.

Merr fund në këtë mënyrë saga e transferimit të 25 vjeçarit që këmbënguli në largimin nga “St James Park” duke mos u stërvitur asnjë ditë me “qymyrxhinjtë” në sezonin e ri.

Blerjet më të shtrenjta në historinë e Liverpool

Për ta zëvëndësuar, Newcastle bleu pak ditë më parë, Nick Woltemade-n nga Stuttgart.

Liverpool kishte thyer rekordin e klubit, javë më parë kur firmosi me Florian Wirtz nga Leverkusen për 100 milionë paund ose 115.37 milionë euro, të cilave do t’ju shtohen në formën e bonuseve 16 milionë paund ose 18.46 milioën euro.

Blerja e Isak i shtohet atyre të Hugo Ekitike, Milos Kerkez, Jeremie Frimpong, Giorgi Mamardashvili, Armin Pecsi dhe Giovanni Leoni.

Liverpool mbërrin kështu në shifrën e 416.2 milionë paundëve të shpenzuar ose 480 milionë euro – totali më i lartë në historinë e Premier League.

Skuadrat që shpenzuan më shumë në historinë e Premier League

Kjo është vetëm hera e dytë që një skuadër angleze thyen barrierën e 400 milionë paundëve ose 461.46 milionë eurove.

Pas Chelsea-t që shpenzoi 401.2 milionë paund ose 462.85 milionë euro në verën e vitit 2023.

Liverpool mund ta rrisë kufirin e shpenzimeve pasi “Reds-at” po punojnë për blerjen e mbrojtësit anglez, Marc Guehi nga Crystal Palace.

Ndërsa në dalje, Luis Diaz, Darwin Nunez, Jarell Quansah, Caoimhin Kelleher, Trent Alexander-Arnold, Tyler Morton dhe Ben Doak iu dhanë mundësi kampionëve në fuqi, të arkëtojnë 190 milionë paund ose 219.19 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë