Ajo çka ishte në ajër tani bëhet zyrtare, Rocco Vata zgjedh Kombëtaren me të cilën do të vazhdojë karrierën në arenën ndërkombëtare.
Djali i ish kapitenit kuqezi Rudi Vata, ka zgjedhur skuadrën e gjelbër të Republikës së Irlandës me të cilën ai luan në kombëtaret e moshave prej vitit 2019 kur përfaqësohej në U15. Duke kaluar nëpër zinxhirin e tyre ai zhvilloi 29 ndeshje dhe shënoi 10 gola, ku 7 ndeshje e 6 gola i përkasin skuadrës U21.
Për shkak të origjinës së prindërve dhe vendlindjes, Rocco Vata mund të zgjidhte mes Shqipërisë, Skocisë, Mali të Zi dhe Republikës së Irlandës e cila fillimisht ja doli ta grumbullonte me moshat dhe tashmë edhe me skuadrën e parë.

Një humbje jo e vogël kjo për Kombëtaren kuqezi që është në proces rindërtimi dhe talente si Vata janë fondamentalë për rikrijimin e një cikli të suksesshëm. Në karrierën për klube, 19 vjeçari luan te Watford në Championship (kategoria e dytë në Angli) ku u transferua nga Celtic (pas 12 viteve atje) duke firmosur një kontratë 4 vjeçare me skuadrën angleze.
Ai është një nga 6 sulmuesit në “Vicarage Road” dhe në 21 ndeshjet e zhvilluara ka shënuar 3 gola dhe ka shërbyer për shënimin e 3 të tjerëve. Në dy raste ka zhbllokuar rezultatin.
Ndeshjen e parë me Republikën e Irlandës ai mund ta luajë që në 20 ose 23 Mars ndaj Bullgarisë në transfertë ose në shtëpinë e konfirmuar tashmë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




