Futboll

Irani tërhiqet nga Kupa e Botës 2026: Nuk do të luajmë në SHBA

Gazeta Si – Ekipi kombëtar iranian nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, e cila do të mbahet këtë verë në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

Vendimi kishte qenë i paqartë pas konfliktit që shpërtheu në Lindjen e Mesme në javët e fundit, por konfirmimi erdhi nga ministri i Sportit i Iranit, Ahmad Donjamali, në një intervistë televizive: “Meqenëse kjo qeveri e korruptuar vrau udhëheqësin tonë [Ali Khamenei], ne nuk kemi ndërmend të marrim pjesë në Kupën e Botës”.

Donjamali theksoi “masat e liga të marra kundër Iranit” nga Shtetet e Bashkuara: “Dy luftëra na u imponuan brenda tetë ose nëntë muajsh dhe disa mijëra qytetarë iranianë u vranë. Ne nuk kemi absolutisht asnjë shans për të marrë pjesë”.

Pavarësisht luftës, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, shpresonte që Irani të bënte një paraqitje të rregullt.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, theksoi se “një ngjarje si Kupa e Botës, shërben më shumë se kurrë për të bashkuar njerëzit. Gjatë bisedimeve, presidenti Trump përsëriti se ekipi iranian është natyrshëm i mirëpritur të marrë pjesë në turne në Shtetet e Bashkuara”, tha Infantino, disa orë para njoftimit të ministrit iranian.

Irani ishte kualifikuar të luante në finalet e Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Taremi me shokë, ishin planifikuar gjithashtu të luanin ndeshjet e tyre në grup (dhe ndeshjen e mundshme të raundit të 32-të) në Shtetet e Bashkuara, jo me Meksikën apo Kanadanë.

I vendosur në Grupin G, Irani do të përballej me Zelandën e Re më 15 qershor dhe Belgjikën më 21 qershor në stadiumin “SoFi” në Inglewood, Los Anxheles dhe së fundmi me Egjiptin, më 26 qershor në “Lumen Field” në Seattle.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë