Bota

Irani sulmon rafineritë e vendeve të Gjirit Persik. Trump: Do ju shkatërrojmë!

Gazeta Si – Lufta në Lindjen e Mesme, tani në ditën e saj të 20-të, ka hyrë në një fazë të re: të mërkurën, Izraeli goditi një fushë të madhe gazi iraniane dhe Irani u përgjigj duke sulmuar disa objekte të gazit natyror të Katarit, rafineritë në Kuvajt dhe Arabinë Saudite.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të “shpërthejnë masivisht” një nga fushat kryesore të gazit iranian nëse Teherani ndërmerr një tjetër sulm ndaj Katarit.

Në një paralajmërim të fortë, Trump deklaroi se nëse Irani godet përsëri Katarin, SHBA do të “shkatërrojë masivisht të gjithë fushën e gazit South Pars me një fuqi që Irani nuk e ka parë kurrë më parë”.

Deklarata e tij vjen pas një përshkallëzimi të situatës në rajon, ku Irani sulmoi kompleksin energjetik Ras Laffan në Katar.

Sipas kompanisë shtetërore të naftës në Katar, sulmi shkaktoi “dëme të konsiderueshme”, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Kjo fushë gazi konsiderohet si pjesë e rezervës më të madhe të gazit natyror në botë, e cila ndahet mes Iranit dhe Katarit, me të dy vendet që operojnë struktura në atë zonë strategjike. Deri më tani, Izraeli nuk ka reaguar zyrtarisht për sulmin.

Pas goditjes së kësaj fushe, Irani ndërmori sulme ndaj disa vendeve të Gjirit, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke rritur ndjeshëm tensionet në rajon.

Ndikimi i menjëhershëm u reflektua edhe në tregjet globale, ku çmimi i naftës u rrit me rreth 4%, duke kaluar përkohësisht nivelin e 110 dollarëve për fuçi.

Arabia Saudite njoftoi se një dron goditi rafinerinë SAMREF në qytetin portual të Yanbusë në Detin e Kuq. Ministria saudite e Mbrojtjes, tha se “një vlerësim i dëmeve është duke u zhvilluar”.

SAMREF është një sipërmarrje e përbashkët midis “Saudi Aramco” dhe “ExxonMobil” me seli në SHBA, dhe rafinon afërsisht 400,000 fuçi naftë të papërpunuar në ditë.

Po ashtu, kompania kombëtare e naftës në Kuvajt, njoftoi se rafineria al-Ahmadi ishte goditur nga një sulm me dron iranian. Një zjarr shpërtheu, por nuk u raportuan të lënduar.

Disa minuta më vonë, mbërriti lajmi për një sulm të dytë, në një rafineri rreth 10 kilometra në jug, rafinerinë Abdullah.

Dy rafineritë ndodhen 50 dhe 60 kilometra në jug të kryeqytetit, Kuvajt Siti, dhe rafineria al-Ahmadi është më e rëndësishmja në vend dhe një nga më të mëdhatë në Lindjen e Mesme, duke prodhuar 730,000 fuçi naftë në ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë