Gazeta Si – Data 16 qershor, pak para mesditës. Gjashtë raketa izraelite goditën një ndërtesë në Teheranin perëndimor.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ishte në katet e poshtme, duke marrë pjesë në një takim të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.
Ai u shoqërua nga Kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe Kryetari i Gjyqësorit Mohseni Ejei. “Sulmuesit shënjestruan hyrjet dhe daljet e ndërtesës, duke hedhur gjashtë bomba për të bllokuar rrugët e arratisjes dhe për të prishur rrjedhën e ajrit”, raporton agjencia e lajmeve “Fars”, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare.
Burrat, përfshirë Pezeshkian, u plagosën në këmbë, por arritën të shpëtonin “përmes një kapak emergjence të paracaktuar”.
Pezeshkian i shpëtoi për pak. Ky informacion i ri konfirmon deklaratat e presidentit të bëra në një intervistë me Tucker Carlson të Fox News, ku ai akuzoi Izraelin për përpjekje për ta vrarë, pa pranuar megjithatë se ishte plagosur: “Ata u përpoqën, por dështuan”.
Sipas raportimit, më 16 qershor, gjashtë bomba goditën pikat hyrëse dhe dalëse të një objekti sekret nëntokësor në Teheran, ku Pezeshkian po merrte pjesë në një takim urgjent të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.
Thuhet se presidenti pësoi lëndime në këmbë, teksa ai dhe zyrtarë të tjerë shpëtuan përmes një daljeje emergjente. Ndërkohë, autoritetet iraniane thuhet se po hetojnë për infiltrime të mundshme nga agjentë izraelitë.
Ky raport nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe Izraeli nuk ka dhënë ndonjë koment zyrtar mbi pretendimet.
Gjatë luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit, në rrjetet sociale u shpërndanë pamje të sulmeve të përsëritura ajrore në një anë mali në veriperëndim të Teheranit. Tani është bërë e ditur se në ditën e katërt të konfliktit, objektivi i sulmeve ishte një strukturë sekrete nëntokësore ku ndodheshin udhëheqësit më të lartë të Iranit.
Raporti i “Fars” thotë se sulmet izraelite bllokuan të gjitha gjashtë pikat e hyrjes dhe daljeve, si dhe sistemin e ventilimit. Energjia elektrike e objektit u ndërpre gjithashtu, por presidenti arriti të largohej i sigurt.
Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare është organi më i lartë vendimmarrës në Iran pas Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
Javën e kaluar, Pezeshkian akuzoi publikisht Izraelin për përpjekje për ta vrarë, pretendim që u mohua nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili tha se “ndryshimi i regjimit” nuk ishte qëllimi i luftës.
Qysh në fillim të konfliktit, Izraeli eliminoi një numër të madh komandantësh të lartë të Gardës Revolucionare Islamike dhe ushtrisë iraniane. Udhëheqësit iranianë e pranuan se u zunë të papërgatitur dhe vendimmarrja u paralizua për të paktën 24 orë pas sulmit të parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




