Analize

Irani është tashmë në luftë me SHBA-në, kur do të reagojë administrata Biden?

Nga Jonathan Sweet & Mark Toth-Udhëheqësi Suprem i Iranit Ayatollah Khamenei dhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), kanë nisur tashmë një luftë kundër Shteteve të Bashkuara. Por askush në administratën e Biden, nuk dëshiron që ta pranojë këtë fakt.

Kjo qasje është bërë edhe më problematike nga e diela e shkuar, kur dhjetëra amerikanë e paguan koston e qasjes së butë të Shtëpisë së Bardhë ndaj Teheranit. Tre pjesëtarë të shërbimit amerikan  u vranë, dhe më shumë se 34 u plagosën gjatë një sulmi me dron afër kufirit Jordani-Siri.

Presidenti Biden nxitoi të dënonte sulmin, duke vënë në dukje:”Ndërsa jemi ende duke mbledhur faktet mbi këtë sulm, ne e dimë se ai u krye nga grupe militante radikale të mbështetura nga Irani, dhe që veprojnë në Siri dhe Irak”.

Ngjarja tragjike e të dielës, ka qenë një kronikë e e paralajmëruar. Stafi i Biden nuk e kupton si duhet Iranin. Ky është nënvlerësimi i dytë i madh i synimeve dhe i aftësive të këtij regjimi. Rasti i parë ndodhi në shtator 2023, kur Jake Sullivan, këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, deklaroi me pompozitet: “Rajoni i Lindjes së Mesme, është më i qetë sot sesa ka qenë në 2 dekadat e fundit!”.

Tetë ditë më vonë, Hamasi sulmoi rëndë Izraelin, duke përdorur burimet iraniane, dhe një plan sulmi të miratuar po nga Irani. Sullivan ka dështuar ta pranojë, e lëre më pastaj t’i kundërvihet, rrezikut të qartë dhe aktual që përfaqëson Irani për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së në të gjithë Lindjen e Mesme.

Ai duket se është jashtë realitetit, kur flet për adresimin në një mënyrë pro-aktive të kërcënimeve kinetike që vijnë nga IRGC, dhe po e çon presidentin Biden drejt dështimit të plotë në qasjen e tij ndaj Lindjes së Mesme. Ndërkohë Biden bëri nënvlerësimin e dytë 2 javë më parë, kur u  mburr pas sulmit të përbashkët SHBA-Britani ndaj bazave të rebelëve Houthi në Jemen:”Unë i kam dhënë tashmë një mesazh Iranit. Ata e dinë se nuk duhet të reagojnë”.

Në fakt ata vepruan, duke shkaktuan vdekjen e disa amerikanëve. Irani i përdori edhe një herë milicitë e tij në rajon për të sulmuar një bazë amerikane. Ishte sulmi i 159-të i tillë ndaj forcave amerikane në rajon që nga 17 tetori i vitit të kaluar. Është jo logjike të mendohet që kjo bazë mund të ishte goditur nga një sulm ajror pa pilot, duke pasur parasysh armët mbrojtëse në dispozicion për ta mbrojtur bazën nga një sulm i tillë.

Shtëpia e Bardhë po dështon në të gjitha strategjitë që po ndjek në raport me Iranin. Sullivan dhe Sekretari i Shtetit Anthony Blinken, janë në krye të listës së këshilltarëve që duhet të fajësohen. Irani ka përfituar nga mendjelehtësia e tyre. Është koha që Shtëpia e Bardhë të veprojë me vendosmëri.

IRGC-ja duhet të marrë një leksion shembullor. Është mirë të goditet edhe grupimi Rezistenca Islamike në Irak, por në listën e goditjeve duhet të jetë edhe IRGC. Frika e Biden nga përshkallëzimi i situatës ndaj një armiku tepër agresiv, ka çuar vetë tek përshkallëzimi. Sullivan vazhdon të pretendojë se politika e tij është hartuar enkas që ta parandalojë atë skenar.

Ndërsa është inkurajuese që Biden njoftoi se SHBA “do t’i kërkojë llogari të gjithë atyre që janë përgjegjës për sulmin, në kohën dhe mënyrën e zgjedhur nga ne”, ishte shqetësuese të dëgjoje Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, të fliste edhe një herë për “marrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara, trupat dhe interesat tona”.

Ajo që na duhet nuk është më shumë mbrojtje, përveçse nëse ka ndonjë bazë ende të pa pajisur me sistemet e nevojshme, për t’u mbrojtur nga sulmet me dron. Tani ajo që na duhet është ta çojmë luftën brenda Iranit. Regjimi iranian, duhet të marrë mesazhin e drejtpërdrejtë se Uashingtoni po luan për të fituar.

Sepse të luash për një barazim, vetëm sa do të sjellë vdekjen dhe plagosjen e trupave të tjerë amerikanë. Dhjetëra mijëra trupa, disa prej grave dhe burrave më të mirë të Amerikës, janë aktualisht në rrezik në të gjithë Mesdheun Lindor, Siri, Irak, Jordani, Detin e Kuq dhe Xhibuti aty pranë në Bririn e Afrikës.

Është koha që Joe Biden të reagojë me vendosmëri ndaj Iranit dhe lidershipit atje. Për Biden, nuk duhet të jetë më një opsion goditja e ndërtesave boshe. Siç e ka vënë shpeshherë në dukje Michael Pregent, bashkëpunëtor në Institutin Hudson, një përgjigje e tillë e dobët do të ishte “e pakujdesshme” dhe nuk do ta përfundonte punën.

Edhe Kongresi duhet të bëjë më shumë. Ndëshkimi i ri ndaj Iranit për përpjekjet e tij për të pasur armë bërthamore, është tashmë një bazë e mjaftueshme për veprime dypartiake. Irani duhet të goditet në mënyrë kinetike, legjislative dhe asimetrike. Duhet të dëmtohet seriozisht edhe aftësia e Iranit për të gjeneruar të ardhura.

Senatori demokrat Ben Cardin duhet të bëjë lëvizjen e parë. Tani për tani, ai ka bllokuar Aktin MASHA që do të “impononte sanksione maksimale” ndaj “Udhëheqësit Suprem” të Iranit, presidentit iranian dhe drejtuesve të tjerë “për abuzimet e tyre të të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e terrorizmit”.

I emërtuar kështu pas Masha Aminit, 22-vjeçares iraniane që vdiq pasi u arrestua për mbajtjen në mënyrë të gabuar të haxhibit të detyrueshëm, ligji u miratua në Kongres shtatorin e vitit të kaluar me 410 vota pro. Megjithatë, përgjegjësia kryesore bie mbi Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagonin.

Biden duhet t’u drejtohet këshilltarëve të tij për opsionet që ka në dispozicion dhe të “tërheqë këmbëzën”. Megjithatë tani për tani, gjenerali C.Q.Brown, kryetar i ri i Shefave të Përbashkët të Shtabit të Ushtrisë Amerikane, duket se nuk dëshiron ta këshillojë presidentin që të ndjekë atë rrugë.

Ose ndoshta ai është duke u ndikuan shumë nga Sullivan. Në një intervistë dhënë mëngjesin e të dielës për Martha Raddatz në ABC News, Brown deklaroi se politika e administratës aktuale është “të mos zgjerohet konflikti”. Po ashtu, ky i fundit tha në mënyrë të pabesueshme se nuk beson se Irani dëshiron një luftë me SHBA-në, pavarësisht të gjitha shenjave për të kundërtën.

Dhe kini parasysh se deri tani, milicitë e mbështetur nga Irani kanë sulmuar 159 herë forcat ushtarake amerikane në Irak dhe Siri. Rebelët Houthi të sponsorizuar nga IRGC, që veprojnë nga Jemeni Verior, kanë kryer më shumë se 36 sulme kundër anijeve civile dhe tregtare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.

Shkëputja nga realiteti është befasuese. Dhe është shumë shqetësuese, paaftësia e ekipit të sigurisë kombëtare të Biden, për të kuptuar se frika e tij nga përshkallëzimi, ka çuar tashmë në një përshkallëzim. Duket sikur SHBA-ja po sheh një ripërsëritje të sulmeve në Pearl Harbor, vetëm se me lëvizje më të ngadalta, dhe me Shtëpinë e Bardhë që pohon se nuk është e gatshme ta përshkallëzojë më tej situatën.

Kur do të zgjohen nga gjumi Biden, ekipi i tij i sigurisë kombëtare dhe Capitol Hill, dhe të ballafaqohen me realitetin se Khamenei është tashmë në luftë me SHBA-në, pavarësisht nëse duan apo jo që ta pranojnë?

Burimi: The Hill/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Koloneli në pension Jonathan Sweet ka shërbyer për 30 vjet si oficer i shërbimit sekret të ushtrisë amerikane. Mark Toth, analist mbi sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë