Gazeta Si – “Ministrat e jashtëm të BE-së sapo kanë ndërmarrë hapin vendimtar duke e përcaktuar Gardën Revolucionare Iraniane si një organizatë terroriste”, njoftoi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas në platformën X.
“Represioni nuk mund të mbetet pa përgjigje. Çdo regjim që vret mijëra qytetarë të tij po punon për rrëzimin e vet”.
Miratimi përfundimtar – unanimisht – u dha nga ministrat e Jashtëm të BE-së, të cilët vendosën të përfshijnë Gardën Revolucionare Iraniane në të njëjtën listë me Hamasin, ISIS-in dhe Al-Kaedën. Ky miratim lejon që të fillohet procedura formale për finalizimin e masës. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e kritikoi ashpër vendimin: “Është një gabim i rëndë strategjik”.
“Evropa po bën një hap përpara. Etiketimi i Korpusit të Gardës Revolucionare (IRGC) shtypëse të regjimit iranian si një organizatë terroriste është vendimi i duhur, një vendim që shumë e konsideronin të pamundur vetëm pak javë më parë”, tha Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian.
“Jemi krenarë për përpjekjen e vazhdueshme dhe të bashkuar të Parlamentit Evropian që ka ndihmuar në promovimin e këtij përparimi. Tani është koha për të qenë të fortë. Irani do të jetë i lirë”, përfundoi Metsola.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



