Para

Investimi në impainte fotovoltaike ia vlen

Kthimi i shpejtë i investimit tek impiantet fotovoltaikë duket se ka joshur shqiptarët që të interesohen në tërësi për mënyrën sesi mund të përfitojnë. Stavri Thano, Menaxher i Përgjithshëm pranë kompanisë UNI-COM sh.a., shprehet se instalimi i 1 kwp nuk ka kosto fikse dhe varet nga një seri faktorësh, por në një standard të sajin, nuk duhet të kalojë 1 mijë euro.

Në një afat prej 7 vitesh, në një skenar normal, investimi kthehet dhe individi apo biznesi ka mundësi që të ketë fitim të pastër për të paktën 18-19 vite të tjera. Nisma e fundit e qeverisë për të përjashtuar nga TVSH pajisjet që përdoren në sektorin fotovoltaik, duke vendosur kriter kapacitetin e instaluar dhe vlerën e investimit, sipas Thanos, nuk i prek në shkallë të gjerë bizneset. Ata që përfitojnë janë të paktë.

Si ka qenë interesi i individëve dhe bizneseve lidhur me instalimin e impianteve fotovoltaike, si një alternativë për të reduktuar kostot e energjisë?

Interesi për sistemet fotovoltaike ka qenë i madh, por kryesisht nga entitete që kërkojnë zgjidhje për sisteme mbi 2MW, fashë që përkon dhe me vendimmarrjen e qeverisë për blerjen e energjisë nga këto sisteme me 100 EUR/MWh.

Për pjesën tjetër të sistemeve, vetjake apo industriale deri në 500 kWh, interesi lidhet ngushtë me vënien në praktikë të asaj që quhet “net-metering” (matje me dy kahe), pasi pjesa më e madhe e individëve mund të konsumojnë energji mbas orës 17:00, e cila nuk përkon me orarin gjatë të cilit sistemet fotovoltaike kanë prodhimin më të madh, ndërsa bizneset për pjesën e energjisë që prodhojnë gjatë fundjavave (e cila nuk konsumohet nga ata).

Sa është kostoja për instalimin e 1 Kwp sot që flasim?

Kostoja e instalimit për 1 kWpeak varet nga shumë faktorë siç mund të jenë lloji i paneleve (monokristaline apo polikristaline) dhe inverterave të përdorur, sipërfaqja mbi të cilën do të montohet sistemi (çati me tjegulla, çati me panele sandwich, tarraca të sheshta betoni, terren fushor normal, kodra me përbërje toke normale apo shkëmbore). Po kështu, varet nga lloji i nënstrukturës së përdorur, largësia nga qendrat e banuara, rrugët, si dhe madhësia e impiantit fotovoltaik. Duke pasur kaq shumë variabla nuk mund të thuhet një çmim i sigurt, por si parim nuk duhet të kalojë 1000 EUR/kWpeak. Sistemet e mësipërme janë të gjitha “ON GRID” dhe pa akumulim energjie (bateri të cilat do t’ia rrisnin kostot sistemit, por dhe mirëmbajtjen)

Si paraqitet tregu shqiptar lidhur me alternativat teknologjike për sektorin e fotovoltaikëve, a ka ofertë cilësore, po nevojë për rregullim?
Me aq sa duket deri tani, oferta në tregun tonë është e njëjtë me atë të tregjeve europiane, pasi të gjitha kompanitë që aktualisht tregtojnë tek ne, kanë marrëdhënie me një nga këto kompani. Produktet e tregtuara kanë origjinë nga vendet e BE-së Amerika apo edhe Kina.

Nga instalimet që ka bërë kompania juaj, mund të na jepni një shembull mbi leverdinë që ka sistemi fotovoltaik?

Pjesa e leverdisë së sistemit është shumë e prekshme, pasi investimi që ti bën të kthehet në një aset, i cili prodhon dhe energji elektrike. Sasia e energjisë elektrike që prodhohet nga këto sisteme kursehet nga fatura mujore e OSHEE-së. (nëse nuk do ishte ky sistem, energjia do të paguhej kundrejt OSHEE-së vetëm shpenzim pa investim). Në fund të periudhës 6-7-vjeçare, sistemi ka vetëshlyer veten dhe kështu kthehet në një burim të ardhurash për biznesin, për të paktën dhe 18-19 vjet të tjerë

Stavri THANO, Menaxher i Përgjithshëm UNI-COM sh.a.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë