Politike

‘Investimet’ nuk plotësuan kuorumin, Bardhi kërkesë Nikollës: Shpall të pavlefshëm votimin, u shkel Kushtetuta

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i drejtuar nga Gazment Bardhi i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, deklarimin të pavlefshëm të votimit të pesë projektligjeve në seancën plenare.

Në shkresën që mban firmën e Gazment Bardhit, e cila i është dërguar për dijeni  edhe Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, argumentohet fakti se votimi është kryer në shkelje të Kushtetutës pasi nuk është garantuar kuorumi i nevojshëm.

“Nga verifikimi i kryer nga drejtuesja e seancës për numrin e deputetë të pranishëm kanë rezultuar 68 deputetë, të cilët kanë marrë pjesë në votimin për prezencën dhe më pas për votimin e pesë projektligjeve të sipërcituara. Nga ana ime si deputet dhe kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, është ngritur në mënyrë të përsëritur mungesa e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje, çka i bënte votimet e kryera për pesë projektligjet absolutisht të pavlefshme.

Konkretisht, neni 78, pika I e Kushtetutës parashikon se: “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij. përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar.”.

Në interpretim të kësaj dispozite, Gjykata Kushtetuese është shprehur: “Numri i anëtarëve të pranishëm për zhvillimin e procedurave vendimmarrëse është të paktën gjysma plus një e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, pra 71 deputetë, Rritja e pranisë në proçesin e votimit mbi kuorumin e domosdoshëm sjell rritje të numrit të anëtarëve që votojnë. Vendimi i Kuvendit konsiderohet i miratuar kur për të kanë votuar pro jo më pak se gjysma plus një e anëtarëve që janë të pranishëm...”, thuhet në dokument. Grupi Bardhi kujton se për pesë projektligjet e seancës të së enjtes mumri i deputetëve që kanë marrë pjesë në votim ka qenë më i ulët se kuorumi minimal i kërkuar nga neni 78, i Kushtetutës “Në rast kur votimi kryhet në kundërshtim me Kushtetutën ose Rregulloren e Kuvendit, neni 61 parashikon se ai është i pavlefshëm, e për rrjedhojë Kryetarja e Kuvendit, pasi merr mendimin e Sekretariatit për Procedurat dhe Votimet, urdhëron anullimin e votimit dhe përsëritjen e tij. Qëllimisht për shkak të mungesës së kuorumit, drejtuesja e seancës nuk shpalli në asnjë rast numrin e votave për secilin votim dhe as rezultatin e përmbledhur të këtij votimi”, shkruan grupi i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë