Ekonomi

Investimet e huaja në Shqipëri, nivel rekord. Pronat më tërheqëse. Investitorët më të mëdhenj nga vende ‘anonime’

Nga Gazeta 'SI' - Investimet e huaja direkte prekën vlerën e 395 mln eurove në fund të tremujorit të dytë 2024. Nga një vit më parë rritja raportohet 3.6%.

Banka e Shqipërisë tregon se për të gjithë 6-mujorin janar-qershor në Shqipëri kanë hyrë 749 mln euro si investime të huaja, pse 8.1% më shumë se në 2023-shin.

Nëse analizojmë të dhënat për gjashtë muajt e parë të vitit shohim se fluksi i Investimeve të Huaja Direkte vlerësohet në 749 milionë euro ose 8.1% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Investimet e huaja në pasuritë e paluajtshme kapën shifrën e 97 mln eurove, me rritje 24% nga një vit më parë. Për gjysmën e parë të vitit, IHD-të në prona arritën në 181 mln euro, 43% më shumë se në 2023-shin.

Indeksi Fischer që mat po vetë BSH tregoi se për 6-mujorin e parë të vitit, të huajt kanë blerë 27% të pronave të shitura në total, nga të cilët 61% janë rezidentë të BE-së.

Banka tregon se turizmi dhe energjia e rinovueshme janë dy sektorë po ashtu me interes për investitorët e huaj.

Nga erdhën IHD-të?

Statistikat tregojnë se është Turqia që renditet në vend të parë, me rreth 77 milionë euro dhe me rritje vjetore 133%. Në radhë ndjekin në renditje ato me origjinë anonime, të klasifikuara si “të tjera për arsye konfidencialiteti”. Investimet e këtyre të fundit në vendin tonë gjatë tremujorit të dytë të vitit kapin shifrën e 68 milionë eurove dhe më pas ndjekin Italia dhe Franca.

Franca është vendi që ka regjistruar edhe rritjen më të madhe të fluksit të investimeve me gati 360%.

Nga ana tjetër, sipas shteteve për gjashtë muajt e parë të vitit ato me origjinë anonime renditen të parat me rreth 148 milionë euro, pasuar nga Turqia, Italia dhe Holanda.

LEXO EDHE:

Pak ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit i bëri thirrje Shqipërisë që të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, për të tërhequr kështu investimet e  huaja.

“Korrupsioni është një problem madhor jo vetëm në Ballkanin Perëndimor apo në Shqipëri, por edhe në shumë vende të tjera në botë. Por nëse do të tërheqësh investime, duhet ta luftosh këtë fenomen dhe të ndryshosh sjellje. Mendoj se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. SPAK ka bërë punë thelbësore dhe me aq sa kam parë, gëzon respektin e qytetarëve. Nëse mund të zhvillosh një organizatë që ndihmon vendin të dalë nga korrupsioni do të dërgosh një sinjal të fortë tek investitorët potencialë.”, thotë Collen Hyland, Drejtore për Çështjet e Europës në DASH gjatë një konference për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë