Dy gazetarë të televizionit shtetëror norvegjez, Halvor Ekeland dhe Lokman Ghorbani, janë arrestuar dhe janë mbajtur për më shumë se 30 orë nga forcat e sigurisë në Katar, ndërkohë që ishin me shërbim për një emision investigativ mbi Kupën e Botës dhe kushtet për punëtorët e impenjuar në ndërtimin e stadiumeve.
Qeveria e Katarit nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me këtë ngjarje. Dy gazetarët u arrestuan të dielën në mbrëmje, para se ata të niseshin nga Doha. Ata u lanë të lirë të martën në mëngjes dhe pastaj u nisën drejt Norvegjisë gjatë mbrëmjes.

“Na çuan në komisariatin e policisë dhe na mbajtën aty për shumë orë, – ka shpjeguar Ekeland. – Na morën në pyetje dhe tani jemi para së gjithash shumë të lumtur që jemi kthyer në Europë. Kemi kaluar momente shumë të vështira”.
Ekeland dhe Ghorbani kishin shkuar në Katar më 14 nëntor për një hetim në lidhje me kushtet e punës dhe jetës së punëtorëve emigrantë. Një ditë më pas ata duhej të takonin disidentin Abdullah Ibhais, ish-drejtor i komunikimit për Botërorin 2022, i dënuar me 5 vjet për korrupsion pas kritikave për kushtet e sigurisë në kantieret e Botërorit.

Ibhais u arrestua para takimit dhe dy gazetarët e raportuan në lidhje direkte atë që kishin parë. Më pas ata u ndaluan jashtë hotelit, teksa ishin duke u përgatitur për të shkuar në aeroport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




