Fatjon Rupi – Prej pak javësh Ledian Memushaj ka nisur një kapitull të ri në karrierën e trajnimit, pas asaj me të rinjtë e Peskarës. Bashkë me italianin e njohur Luixhi Di Biaxho ai është ulur në stolin e Dinamos, në rolin e ndihmëstrajnerit. Një projekt që vlonjati e ka marrë me shumë dëshirë dhe synon të lërë gjurmë në këtë aventurë shqiptare.
Memushaj, fjalëpak për nga natyra, në një intervistë ekskluzive për Gazeta Si, jep disa mendime për ardhjen te Dinamo, por më së shumti për Kombëtaren, që është në prag të dy ndeshjeve të rëndësishme kualifikuese të Euro 2024, ndaj Çekisë dhe ndaj Polonisë. Memusha numëron 44 ndeshje me fanellën kuaqezi dhe 1 gol të shënuar.

Ish-mesfushori ka shumë besim se kuqezinjtë do të shkojnë për herë të dytë në histori në Europian, pas atij të 2016-ës, ku ai ishte protagonist. Nga ai event të gjithë kujtojnë golin historik të Sadikut me kokë ndaj Rumanisë. Ai gol erdhi pikërisht nga këmbët e Memushajt, lojtari që dha krosin e kalibruar për sulmuesin elbasanas. Ja intervista e tij për Gazeta Si:
Memushaj, si po shkon aventura juaj e re në Shqipëri, ku jeni bërë pjesë e stafit të Dinamos?
Shumë mirë. Gjatë këtyre tri javëve që jam pjesë e Dinamos ka parë që skuadra po rritet vazhdimisht, nga dita në ditë. Është një projekt shumë serioz nga e drejtuesve të klubit, ambicioz, që më bëri ta pranoj me shumë kënaqësi. Kuptohet që çdo gjë do kohë, por besoj se Dinamo do të shkojë gradualisht në vendin që i takon falë këtij investimi.
Si lindi bashkëpunimi me një emër të njohur të futbollit italian dhe jo vetëm, si Di Biaxho?
Me Xhixhin kemi folur edhe më parë, kemi biseduar për mundësinë e një bashkëpunimi në Itali. Pastaj doli ky variant për te Dinamo në Shqipëri, që ishte si me porosi. Sepse unë jam shqiptar dhe ardhja te një skuadër shqiptare ishte diçka e bukur. Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë. Po më duket si kohët e fillimit në Kombëtare…

Le të flasim pak për Kombëtaren, ku ju keni kontribuuar për më shumë se 10 vjet. Si ju duket skuadra aktuale e drejtuar nga trajneri Silvinjo?
Kam fjalët më të mira për këtë Kombëtare. Kam parë një atmosferë shumë pozitive në skuadër dhe gjithçka që e rrethon atë, nga drejtuesit e FSHF-së, tifozët dhe çdo gjë tjetër. Silvinjo ka bërë një punë shumë të mirë, ka ditur të krijojë ambientin e duhur në grup dhe kam bindjen se është njeriu i duhur për të drejtuar Shqipërinë.
Jemi përpara dy ndeshjeve shumë të rëndësishme, siç janë ato me Çekinë dhe Poloninë, që vendosin shumë për kualifikimin?
Po, janë ndeshje shumë të rëndësishme. Për mua personalisht ndeshja vendimtare e Shqipërisë është ajo me Poloninë në Tiranë. Dhe mendimi im është se Shqipëria këtë ndeshje duhet të ketë më shumë në vëmendje, për ta përballuar me sukses, që do të ishte edhe barazimi. Ndeshjen me Poloninë Kombëtarja nuk duhet ta humbasë, edhe nëse barazon është në rregull. Duhet të hyjë në fushë me durim dhe kujdes. Nëse e fiton, aq më mirë, por edhe një pikë për mua e ndihmon shumë Shqipërinë në vazhdim. Ajo humbje e Polonisë në Moldavi i prishi hierarkitë e grupit.
A besoni realisht se kjo Shqipëri mund të shkojë në Europianin e 2024-ës?
Besoj shumë. Për mua kjo Kombëtare i ka të gjitha ‘kartat’ në rregull për t’u kualifikuar për në Europian. Ka gjithçka që i duhet, ka kualitet, staf të kualifikuar, atmosferë, entuziazëm…
Ku ndryshon Kombëtarja juaj, që arriti atë sukses historik, nga kjo aktuale?
Mund të them se ne ishim një Kombëtare ‘e panjohur’. Nuk kishim shumë lojtarë të njohur, por bëmë një grup të fortë, kompakt, që me shumë sakrificë arriti atë kualifikim historik. Tani është ndryshe, Kombëtarja jonë është një skuadër internacionale.
Në skuadër janë lojtarë që i njeh gjithë bota, luajnë me klube të mira në kampionatet më të forta. Po ashtu, edhe Silvinjo më jep shumë besim, ndaj dhe them se kjo skuadër i ka të gjitha shanset që të shkojë në Euro 2024. Besoj se kështu do të ndodhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




