Nga Fatjon Rupi - Vetëm pak javë më parë autoritetet shëndetësore në vend lejuan rifillimin e aktivitetit për sportet që zhvillohen në salla të mbyllura, për basketbollin dhe volejbollin. Pandemia ka pasur një ndikim mjaft negativ në basketbollin shqiptar, duke bërë që shumë lojtarë të shtegtojnë drejt Kosovës.
Afrim Bilali, trajneri i Kombëtares shqiptare të basketbollit, në një intervistë për Gazeta Si, tregon se në çfarë gjendje ndodhet ky sport pas ndërprerjes njëvjeçare nga pandemia. Ai tregon arsyet e “divorcit” me Vllazninë, prek temën e të huajve në kampionatin tonë dhe ka një apel për qeverinë dhe ministrinë që basketbolli të mos mbetet vetëm një sport për pasionantët.
Z.Bilali, në çfarë gjendje është basketbolli shqiptar në këtë moment që flasim, pak kohë pas lejes për vazhdimin e aktivitetit?
Basketbolli momentalisht është në vështirësi, është fiks si një fëmijë, që hedh hapat e parë. Ky sport është nën presion realisht, ekipet janë nën presionin e fitimit të trofeve, lojtarët janë nën presionin e një stërvitjeje të vazhdueshme pas një periudhe të gjatë pushimi. Megjithatë, kanë kaluar disa javë dhe shoh që ekipet janë të angazhuara në maksimum për arritjen e objektivave për fitimin e trofeve.
Sa ka ndikuar pandemia në gjendjen e kampionatit dhe të Kombëtares, pasi u bë një kohë e gjatë pa ndeshje?
Pandemia ka ndikuar shumë negativisht, si për lojtarët e kampionatit shqiptar, ashtu edhe për ata që përfaqësojnë Shqipërinë. Kjo ndalesë prej një viti e kampionatit të basketbollit ka bërë që lojtarët të humbin shumë, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë tekniko-taktik. Gjatë ndeshjeve të shkurtit është vënë re një mungesë e përgatitjes fizike dhe normalisht këto bëjnë që basketbolli, nëse kishte bërë dy hapa para, me ndalimin e aktiviteteve ka bërë 3 hapa prapa.
Çfarë përgjigjesh morët nga kualifikueset e Botërorit që luajtët së fundi?
Në shkurt të 2020-ës, para se ndalohej aktiviteti, loja ndaj kundërshtarëve ishte shumë dinjitoze. Pësuam një humbje të ngushtë në sekondat e fundit ndaj Portugalisë, arritëm edhe një fitore ndaj Qipros. Pastaj pas pandemisë rezultatet dihen, humbje në 4 ndeshjet e fundit, 2 në nëntor dhe 2 në shkurt. Përgjigja mendoj se nuk është reale, por e ndikuar nga pandemia. Besoj se në ndeshjet e radhës Kombëtarja, nëse çdo gjë është ok, do të bëjë një përfaqësim dinjitoz.
Sa e kanë vuajtur lojtarët e Kombëtares pezullimin e aktivitetit, ku disa ikën edhe në Kosovë?
Për ata që janë larguar mendoj se ka qenë një shkëputje me mend, sepse mungesa e një aktiviteti i bën atë të humbin përgatitjen fizike, teknike, pse jo dhe orientimin në fushë taktikisht. Vajtja në Kosovë ka pasur anët e mira, sepse janë aktivizuar, janë paguar dhe janë në formë. E keqja është se është shumë e vështirë që të kthehen në Shqipëri, sepse kampionati në Kosovë ka një atraksion më të madh në lojë dhe në mediet e shkruara e vizive, Tifozët janë më të përkushtuar ndaj basketbollit në Kosovë dhe këto bëjnë që këta lojtarë ta shohin kthimin të vështirë. Gjithsesi, me mbarimin e kampionatit në Kosovë, që mbaron shumë më herët se te ne, këta lojtarë do të kthehen në ekipet e tyre në Shqipëri.
Çfarë ndodhi me Vllazninë, pasi emri juaj u lakua si trajner i saj në verë, pastaj erdhi një trajner amerikan?
Për Vllazninë mund të them se u nis një projekt me drejtuesit, që mendoj se ishte serioz. Isha edhe unë pjesë e projektit. Me ndërprerjen e kampionatit, shumë lojtarë u larguan në Kosovë. Lojtarë të rëndësishëm, si Lekndreaj, Shestani, Hamati ikën në Kosovë dhe kjo ishte një nga arsyet e shkëputjes sime, pasi ekipi nuk kishte një bosht cilësor për të arritur objektivat. Në Shkodër ka edhe një problem: Vllaznia bën stërvitje në palestra shkollash dhe jo në një pallatin e sportit, gjë që sjell problem për një trajner profesionist për arritjen e objektivave. Kjo ishte pika e “divorcit” me Vllazninë, moskthimi i lojtarëve të rëndësishëm dhe kushtet e stërvitjes, që për mua janë të rëndësishme. Pastaj klubi bëri hapat e vet, duke sjellë një amerikan dhe lojtarë të huaj që duan kohën e vet për t’u përshtatur.
Si e shikoni faktin që në kampionat kanë ardhur shumë basketbollistë të huaj, a e pengon rritjen e lojtarëve vendës?
Ardhjen e lojtarëve të huaj në kampionatin shqiptar e shoh në dy aspekte. I pari është se këta lojtarë mendoj që i japin tunus kampionatit. Po ashtu, ekipet tona shpesh ndodhen para faktit që nuk kanë lojtarë. Ekipet nuk po prodhojnë më lojtarë dhe e vetmja mënyrë që të plotësohen është ardhja e të huajve. Shpesh thonë se të huajt pengojnë lojtarët shqiptarë, por unë jam kundër kësaj. Pse? Sepse mendoj që një lojtar shqiptar i mirë duhet të luftojë shumë për të zënë vend, jo ta ketë të mirëqenë se luan gjithmonë. Kështu humb sfidën e lojtarit, humb garën në ekip dhe kjo ndikon në nivelin e kampionatit. Unë jam nga ata që dua të mbështes sa më shumë lojtarët shqiptarë, por kjo nuk do të thotë se të huajt nuk do të jenë pjesë e ekipit.
Si ju duket kampionati, cilët janë ekipet pretendente, sipas jush?
Kampionati shqiptar për momentin ka 4 ekipe që përballen denjësisht me njëri-tjetrin, që janë Goga Basket, Teuta, Vllaznia dhe Tirana. Pretendentë janë Goga Basket, Vllaznia dhe Teuta. Vllaznia, pavarësishrt rezultateve, po rritet dhe forcimi i ekipit me të huaj do ta ndihmojë. Më i kompletuar më duket ekipi i Goga Basket, me lojtarë të Kombëtares dhe të rinj.
Mungesa e tifozëve sa ndikon gjatë ndeshjeve?
Tifozëria pa dyshim është lojtari 6-të. Mungon tifozëria e zjarrtë e Shkodrës, Partizanit, Gogës, Teutës. Këto ndikojnë në një ndeshje dhe bëjnë që ato zhytjet apo trepikëshat të duken sikur nuk ndodhin, kur nuk ka mbështetje nga tifozëria. Besoj se kjo është një periudhë tranzicioni e shkurtër, tifozët do të kthehen, sepse luhet për ta.
Cilët janë objektivat e radhës për Kombëtaren e basketbollit?
Për Kombëtaren duhet të presim edhe pak, sa të përcaktohet një formulë nga FIBA, pastaj do të shohim kunkurrentin e radhës. Kuptohet, objektiv është të ndryshojë pak mendësia, të hyjmë për fitore, pavarësisht se kë kemi përpara.
A keni një apel për federatën apo për qeverinë sa i takon ndihmës që i duhet dhënë basketbollit si sport elitar?
E vetmja thirrje është se sporti do mbështetje financiare, pa dyshim. Kjo arrihet vetëm me anë të ligjit të sponsorizimit. Gjendja aktuale krijon një handikap të madh në sport dhe në basketboll në veçanti, sepse duke mos pasur mbështetje nga bizneset, gjithmonë ky sport do të ngelet në mbështetje të njerëzve pasiononte, të cilët një ditë do të mërziten, pasi nuk ka interes të dyanshëm. Deri tani është në kuadrin e pasionit mbështetja e sportit, ndaj them që të miratohet një ligj që do të ndikonte në afrimin e sponsorëve për interes të dyanshëm. Kështu fiton sporti, fitojnë edhe sponsorët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.