Filma

“Internim”, në garën ndërkombëtare të festivalit të filmit në Tetovë

Nga Gazeta ‘Si’ – Filmi “Internim” u shfaq në “TIFF ODA 2022”. Filmi me skenar dhe regjisor Kast Hasën këtë herë konkurron në festivalin “Tetova International Film Festival ODA (TIFF ODA)”, në Maqedoninë e Veriut ku më 31 gusht do të jetë dhe ndarja e çmimeve. Festivali nisi më datë 26 gusht dhe prej disa ditësh po shfaqen filma të ndryshëm, ku me një kast aktorësh të njohur por dhe të rinj u shfaq dhe filmi i zhanrit dramë-romancë nga regjisori Kast Hasa. Protagonist në filmin me ngjarje në vitet ’80 në vendin tonë, aktori Klodian Hoxha luan rolin e Tomorrit. Në këtë festival që po zhvillon edicionin e 11-të, nga gjithsej 3185 filma të aplikuar nga 110 vende të botës, këtë vit në “TIFF ODA” do të shfaqen 51 filma, ndërsa 46 prej tyre do të garojnë për çmimet kryesore në pesë kategori.

Xhirimet dhe aktorët

Filmi është xhiruar në Divjakë, Lushnjë dhe Ferras. Në role protagoniste në filmin “Internimi” janë aktorët Klodian Hoxha, Krist Baçi dhe Enxhi Cuku, ndërsa rolet e tjera në film interpretohen nga Kristaq Pilo, Jorida Meta, Gramoz Gashi, Arjeton Osmani, Ioana Sinani, etj. Me skenar dhe regji nga Kast Hasa në filmin “Internimi” pasqyrohet Shqipëria gjatë sundimit komunist. Familja Kulla përpiqet të mbijetojë, ndërsa janë të internuar nga regjimi komunist. Për (Arturin) djalin e familjes, situata vështirësohet më tepër, pasi vendbanimi i tij i ri, është pranë shtëpisë së të dashurës së tij (Frida), e cila është e detyruar të fejohet me operativin. Familja vazhdon të jetojë vuajtjet e persekutimit ndërkohë, siç zbulohet më vonë, i sapo riatdhesuari (Nik Nuri) në përpjekje për të ndihmuar familjen, e komplikon situatën më tutje. Një produksion i CineKast, ky është film debutues i regjisorit Kast Hasa. Deri më tani është vlerësuar me çmimin “Filmi më i mirë i huaj” në Arizona International Film Festival, USA dhe “Regjia më e mirë” në Riverside International Film Festival, USA. Filmi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë