Futboll

Interi shtanget në shtesë, Juventusi bën 8 fitore radhazi pa pësuar gol

Gazeta Si – Interi humb dy pikë të çmuara në transfertën e Moncës, duke barazuar 2-2. Në ‘U-Power Stadium’, skuadrës së Inzagit nuk i mjaftuan golat e Darmian dhe Lautaro Martinezit.

Pas fitores së rëndësishme ndaj Napolit, në javën e 17-të të Serisë A Interi u ndal në barazim, duke dështuar në tentativën për të kapur Milanin në renditje. Darmian zhbllokoi rezultatin në minutën e 10-të, një minutë më pas Ciurria barazoi, kurse në të 22-ën Lautaro Martinez shfrytëzoi dhuratën e Pablo Marì për golin e dytë.

Në pjesën e dytë Monca e rriti presionin dhe arriti të barazonte në minutën e 3-të shtesë, falë një goditjeje me kokë të Kaldirolës, e devijuar edhe nga Dumfris. Asllani mori më shumë minutë në këtë ndeshje, ku u fut në fushë në minutën e 55-të.

Juventusi mundi 1-0 Udinezen, duke regjistruar fitoren e 8-të radhazi pa pësuar gol. Edhe në ‘Allianz Stadium’ ligji i bardhezinjve u konkretizua në fund, pas një ndeshjeje me pak raste goli.

Danilo feston golin e fitores ndaj Udinezes. Gazeta Si, 7 janar 2023

Silvestri në pjesën e parë i mbylli portën Ruganit dhe Kean. Në të dytën, 4 minuta para fundit, Kieza dha pasimin e duhur për Danilon, që depozitoi topin në rrjetë, duke i dhënë 3 pikët Juventusit. Tri pikë që vlejnë vendin e dytë për momentin për skuadrën e Alegrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë