Gazeta Si – Napoli kryesues, Interi dhe Juventusi kanë bërë detyrën në ndeshjet e javës së 12-të në Serinë A. Të tre kanë fituar duke ruajtur serinë e fitoreve, ku spikat ajo e bardhezinjve në fushën e Leçes, pasi Alegri luajti më shumë të rinj.
Napoli duket i pandalshëm këtë sezon. Djemtë e Spaletit ‘shëtitën’ në ndeshjen me Sasuolon, duke shënuar 4 herë. Tre gola mbajnë firmën e sulmuesit nigerian Viktor Osimhen, kurse golin tjetër e realizoi gjeorgjiani Kvaratshkelia.
Edhe Interi e pati shumë të thjeshtë përballjen me Sampdorian, që përfundoi 3-0 në favor të zikaltërve. De Vraj, Barela dhe Korrea janë autorët e golave në këtë sfidë, ku vlen të veçohet pritja e ngrohtë e tifozëve të Interit për Dejan Stankoviç, aktualisht trajner i Sampdorias.
Kristjan Asllani, edhe pse në letër ishte një ndeshje e lehtë, përsëri ka marrë minuta me ‘pikatore’ nga trajneri Inzagi. Mesfushori kuqezi u fut në fushë në minutën e 83-të, kur rezultati ishte 3-0.

Një perlë e Faxholit ka bërë që Juventusi të marrë fitoren e tretë radhazi në kampionat. Skuadra bardhezi mundi Leçen 0-1 dhe ky mund të jetë një ngushëllim pas eliminimit nga Championsi pak ditë më parë.
Serinë A e kryeson Napoli me 32 pikë, i ndjekur nga Milani me 26 pikë, por me një ndeshje më pak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




