Gazeta Si – Interi nuk arrin të dalë nga kriza. Vetëm barazim 1-1 ndaj Salernitanës, në një ndeshje ku shpërdoroi shumë dhe në fund u ndëshkua nga një gjuajtje-kros e Kandrevës, ish-lojtarit zikaltër. Asllani luan titullar dhe jep sinjale mjaft pozitive.
Në ‘Arechi’ ishte skuadra e Inzagit që shënoi shumë shpejt me Gosens. Më pas gabimet, shtyllat dhe një super Oçoa bënë që Interi të mos shënonte golin e dytë. Ky barazim në javën e 29-të të Serisë A është si një humbje për zikaltrit, të cilët mbajnë vendin e 4-t, me 51 pikë.

Ishin të paktën 10 pritjet e portierit Oçoa në këtë ndeshje, por Interi nuk pati edhe fat, teksa goditi dy herë shtyllën me Barelën dhe Lukakun (ky i fundit me portë bosh) në pjesën e dytë. Salernitana goditi traversën me Dia, ndërsa në fund gjeti golin e barazimit me një kros të Kandrevës, që befasoi Onanën.
Kristjan Asllani më në fund e nisi ndeshjen titullar dhe shkëlqeu në fushë gjatë pjesës së parë. Në të dytën u zëvendësua nga Galiardini. Shtypi italiani vlerësoi lojën e mesfushorit kuqezi, i cili ishte mes më të mirëve të Interit në këtë ndeshje.
‘Asllani 6.5 – Merr në duar regjinë e Interit dhe në pjesën e parë ndërton aksin vertikal me Lukakun. Me topin në këmbë gjen vertikalizimit e duhura, gjithmonë, me precizion dhe shpejtësi. Në pjesën e dytë humbet xhirot e motorit”. Ky është përshkrimi për lojën e futbollistit të Kombëtares shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




