Gazeta Si – Interi bie në shtëpi ndaj Moncës, duke humbur 0-1 në javën e 30-të të Serisë A. Në ‘Meazza’ zikaltrit kanë humbur për herë të 4-t në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit. Ata janë surprizuar nga një gol i Kaldirolës në minutën e 78-të, në zhvillimet e një goditjeje këndi. Goli i ish-it për mbrojtësin, ashtu si dhe pritjet e Di Gregorios, i rritur tek Interi.
Interi mbetet në vend të 5-të, me 51 pikë. Me humbjen e sotme situata për Championsin rrezikohet së tepërmi për skuadrën e Inzagit. Sulmuesit Lukaku dhe Korrea kanë bërë një paraqitje shumë të dobët, ashtu si Bastoni në mbrojtje, përgjegjës për golin e pësuar.

Kristjan Asllani e nisi këtë ndeshje titullar. Mesfushori kuqezi tentoi golin me goditje dënimi, por topi shkoi mbi tra. Ai qëndroi në fushë deri në minutën e 70-të, kur u zëvendësua nga Brozoviç.
Milani barazoi 1-1 në fushën e Bolonjës, në një ndeshje ku trajneri Pioli kishte aktivizuar të gjithë lojtarët e stolit, me përjashtim të portierit Maignan. Kuqezinjtë pësuan gol që në fillim dhe barazuan më pas me Pobegën. Në fund të ndeshjes trajneri Pioli u ankua për dy penallti të padhëna.
Edhe Napoli barazoi sot 0-0 në fushën e tij me Veronën. Si Milani, ashtu edhe Napoli, më shumë kanë menduar për sfidën e kthimit mes tyre në Champions, ndaj dhe kanë ruajtur titullarët. Te Napoli u rikthye nga dëmtimi sulmuesi Osimhen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




