Gazeta Si – Sipas ‘Milano e Finanza’, kreditorët duan të bllokojnë asetet italiane të presidentit të Interit për të rikuperuar borxhin prej 255 milionë dollarësh.
Telashe të reja në horizont për Interin. Ato vijnë nga Hong Kongu dhe në qendër të tyre është Steven Zhang. ‘China Construction Bank’ dhe 6 kreditorë të tjerë kërkojnë të rikuperojnë 255 milionë dollarë, që i janë dhënë hua presidentit të Interit. Për ta bërë këtë ata duan të bllokojnë asetet italiane të tij, ku bën pjesë edhe klubi zikaltër.

‘Milano e Finanza’ bën me dije se kreditorët kinezë janë gati të avancojnë me kërkesën e njohjes në Itali të sentencës së gjykatës së Hong Kongut për çështjen e rikuperimit të rreth 250 milionë eurove. Ky është një detyrim, për të cilin Zhang kishte dalë garant personalisht. Audienca në Milano ishte parashikuar për më 8 mars, por u shty për më 19 prill.
Në total janë 7 institucionet bankare kineze që kanë dhënë hua për Steven Zhang, por mbi të gjithë është ‘China Costruction Bank’. Nëse sentenca e Hong Kongut njihet edhe në Itali, kreditorët kanë të drejtën për të marrë të gjitha asetet e Zhang, përfshirë edhe Interin, që të rikuperojnë paratë e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




