Futboll

Interi i rikthehet pistës Samarxhiç, por tani është duel i fortë me Juventusin

Gazeta si – Pas asaj ndarjeje jo të mirë në verë, Interi dhe Lazar Samarxhiç mund të ritakohen befasisht. Telenovela verore me ato prapaskena të papritura pas vizitave mjekësore, duket se është harruar. Potenciali i lojtarit të ri ka bërë që Interi të mbyllë njërin sy.

Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, zikaltrit janë shfaqur sërish tek Udineze me qëllimin për ta mbyllur çështjen, këtë herë pozitivisht. Por kjo tentativë e dytë po bezdiset pak nga Juventusi, që kërkon ta marrë Samarxhiçin në Kontinasa, ndoshta që në janar. Mesfushori ka talent dhe mund të blihet me çmimin e duhur.

Tek interi po kërkojnë një lojtar që të kompletojë një organikë të pasur në fakt. Pikëpyetjet kanë të bëjnë me lojtarë si Klasen, deri tani asnjëherë protagonist, dhe Sensi që nuk i ndahen dëmtimet. Edhe te Juventusi duan të mbushin boshllëkun e krijuar nga Pogba dhe Faxholi.

Në këto kushte, parashikohet një duel i ashpër në merkato mes Interit dhe Juventusit për 21-vjeçar serb që ka lindur në Berlin. Interi e kishte mbyllur çështjen, por më pas gjithçka ra poshtë. Juventusi nisi përpjekjet më pas, por me Xhuntolin, që e ka ndjekur lojtarin që në kohën e Napolit, mund të bëjë goditjen në momentin e duhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë