Gazeta Si – Interi fiton edicionin e 35-të të Superkupës së Italisë, e 2-ta radhazi dhe e 7-a në historinë e tij. Në Arabinë Saudite skuadra e Inzagit mposhti 3-0 Milanin në një derbi pa histori.
Dimarko shënoi pas një asisti të Barelës, Xheko dyfishoi duke përfituar nga përgjumja e kuqezinjve në mbrojtje, kurse Lataro Martinez mbylli llogaritë në të 77-ën. Milani goditi vetëm një traversë me Rebiç. Për Inzagin është triumfi i 4-t, një rekord që e ndan me Lipin dhe Kapelon.
Interi vendosi menjëherë diktatin e tij në fushë. Dimarko tundi rrjetën e Milanit, kur kishin kaluar vetëm 10 minuta lojë. Të kota pretendimet e kuqezinjve për një pozicion jashtë loje. Skuadra e Piolit bën shumë gabime në mbrojtje dhe ndëshkohet sërish.
Me një kundërsulm të shpejtë, Xheko tregon gjithë potencialin e tij, shmang Tonalin në zonë dhe me të djathtën mposht Tatarushanun. Reagimi i Milanit është i vakët, vetëm me një rast të Laos për pjesën e parë, të zgjidhur nga portieri Onana.
Pioli tenton ta ndryshojë rrjedhën e ndeshjes dhe hedh në fushë Origin dhe De Katelearen në sulm, por pa rezultat. Ai që shënon është sërish Interi. Lautaro Martinez lë në vend Tomorin me një rrotullim të bukur dhe gjuan saktë me të jashtmen, duke prerë çdo shpresë të Milanit me golin e tretë.
Kristjan Asllani u fut në fushë në minutën e 84-t, duke marrë vendin e Çalhanoglu. Mesfushori kuqezi fiton trofeun e parë me fanellën e Interit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




