Futboll

Interi drejt shitjes, një fond nga Lindja e Mesme plotëson kërkesat e Zhang

Gazeta Si – Interi është gati të shitet. Një fond nga Lindja e Mesme duket se ka pranuar kushtet e Suning, sipas asaj që bëjnë me dije ‘Tuttosport’ dhe ‘Corriere dello Sport’.

Në këtë rast, e reja në lidhje me të ardhmen e klubit zikaltër ka të bëjë me një interesim të avancuar, çka nënkupton një ofertë konkrete që pritet të marrë formë zyrtare shumë shpejt.

‘Raine Group’, banka që bashkë me ‘Goldman Sachs’ ka marrë përsipër t’u propozojë dosjen e Interit investitorëve të mundshëm, ka gjetur një mundësi reale shitjeje. Bëhet fjalë për një fond të gatshëm për të marrë maxhorancën e klubit të Steven Zhang. Ky fond ka pranuar të plotësojë kërkesat e pronarëve kinezë.

Familja Zhang sheh në horizont skadencën e huasë prej 275 milionë eurosh të marrë nga ‘Oaktree’ në maj të 2021-shit. Hua që duhet ta shlyejë bashkë me interesat dhe që e çojnë shifrën në gati 400 milionë euro në të njëjtin muaj të 2024-ës. Ose duhet të gjejë një mënyrë për ta rifinancuar me futjen e partnerëve në klub.

Në të kundërt, kuotat e Interit të lëna garanci te ‘Oaktree’ do t’i kalojnë fondit amerikan. E gjitha kjo lë të kuptohet se Suning vështirë se mund të shkojë më tej dhe duhet të shesë kuotat e veta, edhe pse stadiumi dhe Botërori i klubeve e joshin presidentin Zhang dhe ai mund të rezistojë.

Suning e vlerëson Interin më shumë se 1 miliard euro. Një kërkesë që sipas ‘Raine Group’ është gati të plotësohet nga një blerës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë