Futboll

Interi dominon derbin me 5 gola dhe mbretëron i vetëm, pak minuta edhe për Asllanin

Gazeta Si – Dopieta e Mkhitarian, eurogoli i Turam, penalltia e Çalhanoglu dhe goli i Fratezit ngjyrosin zikaltër derbin. Vetëm një shkëndijë me Leaon për Milanin.

Interi dominoi ‘derbin e Madoninës’, duke mundur 5-1 Milanin në javën e 4-t të Serisë A. Skuadra e Simone Inzagit merr kështu fitoren e 5-të radhazi në 2023-shin ndaj kuqezinjve të Piolit.

Në rastin e parë të rrezikshëm Interi shëoi golin e avantazhit me Mkhitarian. Dhe kishin kaluar vetëm 5 minuta lojë, kur armeni devijoi drejt rrjetës një gjuajtje-kros të Dimarkos. Markus Turam, autor i një pjese të parë shumë të mirë, ‘dogji’ Thiau dhe me një të djathtë potente e dërgoi topin në trekëndësh, duke dyfishuar shifrat.

Në pjesën e dytë Milani u rifut në lojë me Leaon. Portugezi shënoi golin e vetëm për kuqezinjtë, pas një pasimi të bukur Të Zhiru. Ky ishte goli i parë i pësuar nga Interi në këtë kampionat. Por shpresat e skuadrës së Stefano Piolit u shuan shpejt, sepse Mkhitarian realizoi golin e 3-të dhe të 2-tin personal.

Për të thelluar rezultatin u desh një penallti e shkaktuar nga Teo Hernandez, që Çalhanoglu e ktheu në gol. Në shtesë Fratezi shënoi edhe të 5-tin. Milani u dorëzua në derbin e parë të sezonit, ku vuajti gabimet në mbrojtje dhe zbriti në vend të 3-të. Interi në anën tjetër kryeson i vetëm me pikë të plota, 4 fitore në 4 ndeshje.

Kristjan Asllani ka shijuar minutat e fundit të derbit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare u fut në fushë në minutën e 81-të, duke marë vendin e turkut Çalhanoglu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë