Gazeta Si – Interi ka dominuar raundin e parë gjysmëfinal të euroderbit. Skuadra e Inzagit mundi 2-0 Milanin në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, duke hedhur një hap përpara drejt finales së Stambollit.
Starti i ndeshjes ishte horror për Milanin dhe fatlum për Interin, që gjeti 2 gola për 3 minuta (‘8 dhe ’11) me anë të Xhekos dhe Mkhitarian. Në rastin e parë boshnjaku fitoi duelin me Kalabrian në zonë dhe gjuajti saktë pas harkimit nga këndi, kurse goli i dytë zikaltër ishte një kundërsulm i shpejtë i finalizuar nga armeni.
Milani, përveç mungesës së madhe të Leaos, humbi edhe Benaser për dëmtim në pak minuta lojë. Skuadra e Piolit u mundua ta rihapte ndeshjen, por pa rrezik konkret në portën e Onanës. Pjesa e parë mund të shkonte edhe më keq, nëse VAR-i nuk do të anulonte një penallti të akorduar për faull të Kjaer ndaj Lautaro Martinez, si dhe nëse goditja e Çalhanoglu nuk do ndalej nga shtylla.
Edhe Milani goditi një shtyllë në pjesën e dytë me Tonali. Interi në këtë pjesë mendoi më shumë për të ruajtur rezultatin dhe ia arriti qëllimit. Trajneri Pioli nuk kishte alternativa në stol për ta kthyer rrjedhën e ndeshjes, ndërsa Iznagi freskoi sulmin me Lukakun dhe Korrean. Asnjë minutë në këtë ndeshje për Kristjan Allanin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




