Para

Interesi i kredive për individët u rrit në fund të 2023. Ra për ato hipotekore dhe bizneset

Nga Gazeta ‘SI’ - Në fund të 2023-shit, interesi për kreditë e individëve u rrit më shpejt se për bizneset, raporton Banka e Shqipërisë.

Interesi mesatar për një kredi konsumator rezultoi 9.8% dhe për hipotekoret 4.4%. Në kontrast, interesi për kredinë e bizneseve rezultoi 6.5% në tremujorin në fund të vitit 2023.

Sipas monedhës, normat e interesit në euro janë rritur më shpejt se leku duke zhvendosur dhe portofolin e kredisë nga euro në lekë.

Interesi i kredive në lekë ka pasur rritje më të shpejtë për individët dhe kreditë e mesme të bizneseve. Ndërsa në euro, është rritur më shpejt për bizneset e mëdha, mbi250 mijë euro, dhe ka rënë për ato hipotekore nga 5.3 në 5%.

Në tërësi raporton BSH, kërkesa për kredi, si për bizneset si për individët ka mbetur e lartë deri në fund të 2023-shit dhe nuk është dekurajuar nga normat e larta të interesit.

Për herë të fundit, Banka rriti normën bazë të interesit në nëntor të 2023-shi, me qëllim reduktimin e inflacionit, por duke e lënë ende stimuluese huamarrjen.

Normat e interesit të depozitave me afat në lekë kanë shënuar një rritje disi më të shpejtë në tremujorin e fundit të vitit 2023 dhe arritën në 2% në muajin dhjetor, nga 1.7% në tremujorin e tretë.

Normat e interesit për depozitat me afat në euro kanë frenuar rritjen në tremujorin e katërt. Ato rezultuan mesatarisht 1.2% në këtë tremujor, duke mos ndryshuar nga fundi i tremujorit paraardhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë