Gazeta Si – Në këto kohë, ku mbretëron Premier Liga dhe me një futboll arab pa limite, bën lajm edhe vetëm projekti. Dhe projekti i Interit është: Lautaro përgjithmonë. Gjithmonë tek Interi, sepse është mirë për të gjithë, për lojtarin, klubin, tifozët, trajnerin. Nuk do të jetë çudi, nëse brenda vitit nisin bisedimet për rinovimin e kontratës së argjentinasit.
Fakti që kontrata aktuale skadon në 2026-ën bën që Interi të mos ketë nxitim. Për momentin klubi zikaltër ka të paktën 3 prioritete, Mkhitarian, Dimarko dhe Dumfris. Por është vullneti që, pasi të sistemohen çështjet urgjente, të veprohet edhe me kapitenin.

Pas fjalëve të sulmuesit në San Sebastian “rinovimi është një temë që nuk më intereson” është dëshira e tij dhe njerëzve që ka pranë për të qëndruar. Kuptohet, me një rishikim ekonomik, me një rritje page në krahasim me akordin e 2 viteve më parë. Dhe ky aspekt nuk është pritur negativisht nga klubi zikaltër.
Në kontaktet e para me Alejandro Kamano, agjentin e Lautaro Martinez, bisedat kanë qenë konstruktive. Brenda vitit do të diskutohet me detaje për çështjen e rinovimit dhe në këtë moment nuk mund të flitet për shifra. Lautaro sot përfiton 6 milionë euro neto, plus bonuset. Ky është tavani i fiksuar nga drejtuesit e Interit.
Është e qartë se kjo shifër do të rritet, është disponibiliteti i klubit për ta bërë. Arsyet nuk janë thjesht teknike. Jo vetëm për rendimentin në fushë do të ketë rritje page. Argjentinasi, me shiritin e kapitenit në krah, ka përforcuar idenë e përkatësisë ndaj klubit, që kohët e fundit kishte humbur pak.
Ky aspekt nuk u ka shpëtuar drejtuesve dhe presidentit Zhang. Klubi është i kënaqur për mënyrën si Lautaro po e bën rolin e liderit në dhomën e zhveshjes, si në raport me shokët, ashtu edhe në dialogun me drejtuesit. Dhe në këto kushte është e lehtë të mendosh se me një rritje page do të kemi edhe rinovim të kontratës. Ndoshta deri në 2028-ën.
Dhe kjo do të thotë se Lautaro Martinez do të mbetej në projekte të paktën për 10 vjet tek Interi. Nuk janë shumë ata që ia kanë dalë ta bëjnë këtë gjë. I fundit është Handanoviç, nga i cili argjentinasi ka marrë shiritin e kapitenit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




