Finalja e “Europa League”, Sevilla-Inter, do të luhet mbrëmjen e së premtes, 21 gusht, në stadiumin e Köln, Gjermani. Inter kthehet në një finale europiane 10 vjet nga hera e fundit, ku një skuadër italiane nuk e fiton këtë trofe që nga 1999 (Parma). Conte luan trofeun e parë europian si trajner, Lautaro Martinez finalen e parë të karrierës, Lukaku ka në shënjestër rekordin e Ronaldo Fenomenit. Mbrëmjen e sotme në RheinEnergieStadion, Inter ka shansin e madh për të shkruar historinë: duke mundur Sevilla e fituar Europa League, zikaltrit do të ngrinin në qiell trofeun e parë të epokës Suning e do të siguronin një vend si kokë grupi në edicionin e ardhshëm të Champions League. Në sfond ëndrra Messi.

Entuziazmi është në majë në kampin zikaltër, por përballë do të jetë kundërshtari më i vështirë kur flitet për Europa League: Sevilla, që në 15 vitet e fundit e ka fituar trofeun pesë herë e nuk ka humbur kurrë një finale. Këtë herë andaluzianët vijnë në aktin final të turneut jo si favoritë: Inter duket më në formë, por Suso e të tjerët kanë treguar më parë kundër Romës e United se mund të kalojnë çdo pengesë.

Lopetegui duhet të bëjë llogaritë me situatën e Ocampos, që nuk është në formën më të mirë, por shkak të një dhimbje në gju. Megjithatë sulmuesi do të luajë nga minuta e parë me Suson dhe marokenin En Nesyri në mes. I njëjti tredhëmbësh ofensiv që u pa kundër Manchester United dhe formacion i pandryshuar për Antonio Conte, që do të heqë dorë sërish nga Skriniar e Eriksen e përpara, ku Sanchez duket i rikuperuar, i beson dyshes së pakundërshtueshme Lautaro e Lukaku, që ka në shënjestër rekordin e Fenomenit në vitin e parë si interist. Në 1997/98 braziliani shënoi 34 gola e në fund të sezonit, pas vendit të dytë në kampionat pas Juventus, ngriti lart Kupën Uefa në finalen e Parisit, ndërsa deri tani sulmuesi belg ka shënuar 33 gola në sezonin e tij të parë…

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




