Kanë mbetur vetëm tre ditë nga mbyllja e merkatos dhe Inter duket në një udhëkryq të madh. Drejtori i ri sportiv i Interit, Bepe Marota nuk e kishte menduar se pa futur mirë këmbët në klub do të kishte kaq shumë vështirësi në menaxhimin e ekipit. Janë tre futbollistë që kërkojnë të largohen nga klubi zikaltër këtë merkato dimri. Ivan Perisiç, Antonio Kandreva dhe Xhoao Miranda nuk dëshirojnë ta vazhdojnë më karrierën e tyre në “Meazza” dhe e kanë shprehur hapur dëshirën e tyre për t’u larguar.

Perisiç i pakënaqur dhe jashtë forme
Sulmuesi kroat është një problem i vjetër te Inter. Ai e kishte shprehur dëshirën për t’u larguar që në merkaton e vitit 2017-të, por asokohe, Spaleti e bindi dhe ai qëndroi. Por duket se këtë sezon me largimin nga Champions dhe pamundësinë për të luftuar për titullin kampion e kanë bindur Perisiçin se duhet të largohet nga Inter për të kërkuar një sfidë të re në karrierën e tij. Nëse para disa muajsh Mançester Junajtid ishte shumë i interesuar për kroatin, me largimin e Murinjos nga “Old Traford” situata ka ndryshuar shumë.

Drejtuesit e “Djajve” nuk janë më të interesuar për Perisiç dhe tashmë për kroatin ka një tjetër mundësi. Sërish në Angli, por këtë herë bëhet fjalë për Arsenalin. “Topçinjtë” ndryshe nga Junajtid nuk janë të gatshëm të paguajnë 40 milionë eurot që Inter kërkon, por kanë ofruar Ozil në shkëmbim. Kjo marrëveshje nuk është pranuar nga Inter, që dëshiron para në këmbim të kroatit në mënyrë që t’i investojë në një lojtarë tjetër që mund t’i bëjë punë Spaletit.

Kandreva jashtë planeve prej kohësh
Në fillim të sezonit, duke qenë se në krahun e majtë të sulmit të Inter nuk erdhi ndonjë emër i madh, u mendua se sërish Kandreva do të vijonte të ishte titullar. Por Politano i habiti të gjithë dhe ia doli të marrë një fanellë titullari, duke e lënë Kandrevën në stol. Sulmuesi veteran tashmë ka dalë jashtë planeve të Spaletit, i cili madje nuk e ka më as zgjedhje të dytë, pasi më të favorizuar në këtë pikë janë Keita dhe Lautaro. Në ndeshjen e fundit, Kandreva u fut në lojë, por dështoi gjithçka në mënyrë spektakolare, duke mos dhënë në fushë as gjysmën e asaj që pritet. Pas humbjes me Torinon mësohet se Kandreva ia ka shprehur Marotës dëshirën e tij për t’u larguar nga Inter. Për sulmuesin anësor e vetmja skuadër e interesuar është Parma, por mbetet për t’u parë nëse ekipi Emilian mund të plotësojë kërkesat financiare të Interit.

Miranda një mbrojtës i tepërt
Në dy vitet e fundit ai ka qenë shtylla e mbrojtjes së Interit. Por me ardhjen e Stefan de Vrij, mbrojtësi brazilian rezulton i tepërt. 34 vjeç tashmë, Zhoao Miranda nuk është më një zgjedhje e parë për Luciano Spaletin, i cili në qendër të mbrojtjes ka dy xhevahire, si De Vrij dhe Skrinjar. Edhe pse në ndeshjen e fundit, Spaleti i dha një shans, duke luajtur me tre mbrojtës, të gjithë e pamë se si përfundoi ndeshja dhe me siguri që Inter në këtë sezon nuk do të luaj më me tre qendërmbrojtës që nga minuta e parë. Për Mirandën ka pak kërkesa dhe më shumë bëhet fjalë për një rikthim në kampionatin e vendit të tij, Brazil. Nga këta tre emra që duan të largohen nga Inter, braziliani duket ai që është më i predispozuar për të qëndruar deri në fund të kampionatit, kur pritet që në “San Siro” të mbërrijë Digo Godin nga Atletiko Madrid.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




