Futboll

Inter dhe Juventus me sytë nga Spanja për përforcime

Merkato e ardhshme e verës pritet të jetë shumë e nxehtë. Inter dhe Juventus parashikohet të ketë një duel të fortë në verën e ardhshme dhe objektivat janë të qarta. Të dyja ekipet italiane janë të fokusuar në lojtarët që duan, njëra në Barcelonë dhe tjetra në Barcelonë.

Inter kërkon njërin mes Rakitiç ose Modriç

Verën e shkuar kalimi i Modriç te Inter u kthye në një telenovelë të vërtetë dhe u desh ndërhyrja e presidentit të Real Madrid, Florentino Perez që ky transferim të bllokohej. Por Inter nuk ka hequr dorë akoma nga afrimi i kroatit, fitues i Topit të Artë. Drejtuesit zikaltër do të bëjnë edhe një tjetër tentativë për të marrë në “Meazza”, Modriç. Sulmi pritet të fillojë që në qershor, për të mos përsëritur gabimin e vitit të shkuar. Por nuk do të jetë vetëm Modriç, kroati i vetëm që kërkon Interi. Zikaltërit interesohen edhe për patriotin e Modriç, që luan të Barcelonë, Ivan Rakitiç. Mesfushori kroat nuk është në momentin e tij më të mirë te Barcelona, ku nuk luan si titullar dhe hapësirat janë shumë të pakta. Mediet italiane shkruajnë se Rakitiç i ka kërkuar Barcelonës që ta lërë të lirë merkaton e verës dhe kështu ai do e kishte derën të hapur për të zgjedhur ekipin e ri për të vazhduar karrierën. Duke parë këtë situatë, Inter nuk dëshiron të humbasë kohë dhe ka filluar kontaktet e para me agjentët e Rakitiç.

Juventus ëndërron Iskon dhe Marselo

Për Ronaldon u shpenzuan 110 milionë euro dhe Juventus ia ka parë vlefshmërinë milionave të hedhura, pasi portugezi është golashënuesi më i mirë i ekipit dhe i Serisë A. Drejtuesit torinez për merkaton e ardhshme kanë një objektiv dhe një ëndërr të madhe. Objektivi quhet Marselo, me brazilianin që u përfol edhe verën e shkuar për të shkuar në Torino. Ka pasur kontakte mes të dyja palëve, por ende do duhet shumë punë për të realizuar një lëvizje të tillë. Ndërsa ëndrra e Alegrit dhe e gjithë tifozëve të Juventus quhet, Isko Alarkon. Mesfushori spanjoll nuk u bë kurrë lideri lojës së Real Madrid dhe këtë sezon madje ka vuajtur mungesën e aktivizimit të vazhdueshëm. Ai është përfolur disa herë për t’u larguar nga “Los Blancos” dhe këtë herë destinacioni është Torino. Te Juventus ai do të kishte mundësinë që të merrte menjëherë rolin e protagonistit, duke pasur në dorë çelësat e mesfushës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë