Lideri i botës së lirë që ngrohet në diell, me rroba plazhi duke pirë birrë, krah kryeministrit të Izraelit. Elon Musk që kërcen në plazh, duke hedhur kartëmonedha në ajër. Një fëmijë që mban një tullumbac prej ari që ngjan me Donald Trump.
Ajo që duket si një ëndërr ethesh ku tregon Gazën e pushtuar nga SHBA, u gjenerua me Inteligjencë Artificiale dhe ndezi debat në të gjithë rrjetin. Video 30 sekondëshe që u shpërnda nga vetë Trump rezultoi e suksesshme edhe pse kontroverse. Mijëra e pëlqyen dhe mijëra e urryen.
AI ka një potencial për keqinformim. Por video e Trump ka një tjetër qëllim. Është një provokim që i shkon përshtat Trump dhe një karrem për kritikët e tij. Askush s’e beson videon, por të gjithë flasin për të.
Pritet që komunikime të këtij lloji të bëhen më të përhapura, për dy arsye. E para është teknike. Deri para pak kohësh, një video e tillë do të kërkonte një ekip profesional animatorësh. Sot çdokush mund ta prodhojë. Sora, gjeneruesi i videove nga Openai, u bë i disponueshëm për amerikanët në dhjetor dhe për europianët më 28 shkurt.
Demokratizimi i teknologjisë vërtetohet me shpejtësinë e reagimit ndaj videos së Trump. Brenda 48 orëve, aktivistët palestinezë u përgjigjën me një video të tyren: “Gaza është e jona”, teksa tregohej Trump që qante në burg dhe banorët e Gazës që festonin.
Arsyeja e dytë pse video të tillë do të përdoren është politike. Trump dhe aleatët e tij, specifikisht Musk, mund të postojnë gjëra të papranueshme nën justifikimin se është vetëm humor. Deklarata cënuese, në këtë rast për të ardhmen e Gazës, merr një hije shakaje përshkak të formës së shpërndarë, por mbështetësit e tij e marrin mesazhin.
Prisni që edhe politikanë të tjerë t’i bashkohen nismës e të përdorin AI për të shtyrë më tej kufijtë e qëndrimeve të tyre.
E majta priret të tërheqë rrugën në zotërimin e mediave të reja, e ndihmuar nga mbështetësit e saj përgjithësisht më të rinj, me njohuri teknologjike.
Barack Obama shfrytëzoi Facebook-un në vitin 2008, duke e ndihmuar atë në Shtëpinë e Bardhë. Sot e djathta e Amerikës është përpara. Zoti Trump ka kultivuar gjithmonë ndjekës në mesin e komunitetit të teknologjisë, të shkëmbimit të meme-ve, të tregtisë së kriptove, dhe është më i guximshëm për AI-n se sa liberalët, të cilët shqetësohen për gjëra të mërzitshme si shkeljet e të drejtave të autorit dhe “pargjet mbrojtëse” të përmbajtjes.
Partia Laburiste e majtë e Britanisë publikoi një video AI në janar, vetëm për t’u kritikuar nga mbështetësit për sabotimin e punës së krijuesve njerëzorë, ndër të tjera. Materialet e Trump mund të shkaktojnë zemërim. Por nëse kundërshtarët duan të garojnë edhe në internet, do t’u duhet të kapin trendet e meme-ve.
Burimi:TheEconomist/ Gazeta ‘SI’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.