Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama tha se deri në vitin 2027 Shqipëria do të ketë mbyllur të gjithë grupkapitujt.
Rama e nisi fjalën e tij me retrospektivë, duke kujtuar kohën kur as nuk imagjinohej që Shqipëria do të arrinte në këtë pikë.
“I gjithë ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për gjithë procesin dhe na bëri më të pjekur. Ja ku jemi sot këtu, me atë që deri 1 vit më parë ishte një ëndërr, e sot është transformuar në një plan pune”, tha kreu Rama në konferencën për shtyp me Marta Kos dhe Marie Bjerre.
Më tej, tha se përtej protokolleve, “ndihet i frymëzuar nga muajt e fundit dhe mbështetja e fortë në procesin e ribashkimit të Europës” dhe theksoi se koha kur BE ishte “i ashpër” me Shqipërinë e ka bërë vendin më të fortë.
“Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë, e madje me një ndjenjë më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti apo pikëpamje politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër anëtarësimin në BE, më shumë se sa 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt se ata shumë pak që janë në atë përqindjen e vogël që mbetet, thjesht s’do kenë qenë ditë e mirë kur është bërë sondazhi, sepse vështirë është që një shqiptar të mendojë se anëtarësimi në BE nuk është horizonti drejt të cilit duhet të synojmë për fëmijët tanë.
Dua të shtoj se qoftë ajo mënyra e fortë e ajo e butë me të cilën jemi përballur, na mësuan një gjë të rëndësishme, mos merr asgjë të mirëqenë në Bruksel! Ajo buzëqeshja mund t’ju zhduket nga fytyra sa hap e mbyll sytë, kështu që puno fort dhe përgjigju në çdo rrethanë me përulje”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, pas 2027-ës, qëllimi është të vazhdohet me fazën e anëtarësimit të plotë.
“Më mirë të na marrin sepse nëse nuk e bëjnë, do i përndjekim deri në fund. Nëse duan të na heqin qafe, duhet të na marrin me vete”, tha Rama.
Ai shtoi se Shqipëria ka qenë gjithmonë besnike e perandorive, por kësaj here jo nga imponimi, por nga zgjedhja e saj.
“Ajo çfarë Shqipëria e shqiptarët fitojnë nga ky proces është diçka që shkon përtej grukapitujve e vetë anëtarësimi formal. Shqiptarët fitojnë një vend që bazohet në institucione, që funksionon në bazë të shtetit të së drejtës, që funksionon në të gjitha parimet që i bëjnë vendet e BE-së kaq të admiruara.
Viti i fundit ka qenë shpërblyes, por pa vitet që i paraprijnë, të cilat nuk ishin shpërblyese, ky nuk do të kishte ardhur. Të jesh skeptik nuk është gjë e keqe, por nuk duhet të na ndalë të punojmë çdo orë, çdo minutë për ta bërë realitet. Ne u jemi besnik perandorive, kjo është e para perandori me të cilën duam të jemi. Kjo shumicë është ndryshe jo vetëm në shifra, por në thelb ishim të gjithë kokë e këmbë pas osmanëve, sovjetikëve, por kokë e këmbë për shkak të imponimit, kurse kjo është me zgjedhje. Ja pse Maria e kuptoi pse nuk i shpëton dot Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



