Shqipëria ka besim se Parlamenti dhe Qeveria e Kroacisë do t’i kushtojnë vëmendjen maksimale avancimit të agjendës europiane të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Kështu shprehet në një letër urimi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, drejtuar kryeparlamentarit kroat Gordan Jandroković, me rastin e marrjes së Presidencës së BE nga Kroacia.
Ruci e konsideron marrjen e kryesimit të BE-së nga Kroacia si një “sprovë të vështirë, por edhe domethënëse, pasi vetëm shtatë vjet pas pranimit si anëtare e familjes europiane, vendi ynë fqinj, mik dhe partner, merr kryesimin e saj”.
“Shqipëria ka pritur me entusiazëm dhe besim prioritetet e Presidencës Kroate, bërë të njohura nga Ju dhe autoritetet e larta shtetërore: Europë që zhvillon, Europë që lidh, Europë që mbron, Europë që ndikon, sipas vizionit “Një Europë e fortë, në një botë plot sfida”. Ky vizion dhe këto priotitete janë në koherencë me Agjendën e Re Strategjike të Këshillit Europian, 2019-2024, dhe Direktivat Politike të Komisionit Europian”, shkruan Ruci.
Sipas kryeparlamentarit shqiptar, edhe pse Këshilli Europian nuk arriti të rekomandonte çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e 17-18 tetorit 2019, kjo nuk na i ka dekurajuar autoritetet shqiptare. “Unë shpreh bindjen se Presidenca Kroate do të jetë Presidenca e përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe se gjatë Presidencës Suaj do të çelen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Kroacia do tia arrijë me siguri që vendet skeptike të kapërcejnë barrierat konceptuale jorealiste dhe t’i bind ato se rajoni ynë është një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian dhe qytetërimit perëndimor”, shprehet Ruci.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.