Politike

Integrimi në BE/ Marta Kos: Shqipëria, progres të admirueshëm! Mali i Zi, vendi më i realizuar

Nga Gazeta ‘Si’- Komisionerja për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, gjatë prezantimit të progres-raportit për vendet kandidate, ka vlerësuar Shqipërinë si një nga vendet me përparimin më të dukshëm në procesin e integrimit evropian.

“Shqipëria ka arritur një progres të admirueshëm që nga konferenca e parë qeveritare, të tjerë grupkapituj janë hapur gjatë këtij viti dhe në nëntor hapet grupkapitulli i fundit. Shqipëria po bën progres në grupkapitullin e themeloreve dhe besoj do ta mbyllin deri në fund të këtij vitit.”, tha Kos për Shqipërinë.

Ndërsa sa i përket Malit të Zi, tha se është “vendi më i realizuar” në këtë drejtim, por “mbeten ende përpara disa reforma për t’u realizuar”.

Gjatë fjalës së saj, Kos komentoi edhe situatën në vendet e tjera kandidate në Ballkan dhe më gjerë.

 Ajo vuri në dukje se në Serbi reformat janë ngadalësuar ndjeshëm, veçanërisht në çështjet themelore si drejtësia, liria e medias dhe të drejtën për shprehje.

“Serbia ka arritur vetëm 62% të kritereve të BE-së. Duhet të punojë më shumë dhe të eliminojë retorikën kundër shteteve anëtare”, theksoi Kos.

Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, komisionerja nënvizoi se vendi ka pasur një periudhë të vështirë, dhe reformat ekonomike janë ngadalësuar për shkak të zhvillimeve në Republikën Serbe.

Ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë treguar përkushtim në zbatimin e reformave, Turqia vazhdon të punojë për të forcuar të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin rajonal.

Në anën tjetër, Gjeorgjia, sipas Komisioneres, ka regjistruar një ngadalësim të dukshëm në përmbushjen e lirive themelore dhe reformave ligjore.

“Në Gjeorgji, situata është bllokuar së fundmi, me një situatë bllokimi. Ne kemi pasur kthim prapa sa i përket lirive themelore dhe autoriteteve ligjore. Gjeorgjia është vend kandidat vetëm në emër, pasi s’ka realizuar asgjë.”, tha Kos.

Marta Kos përfundoi duke theksuar se procesi i zgjerimit të BE-së mund të arrijë sukses vetëm nëse reformat zbatohen me cilësi të lartë dhe në përputhje me standardet demokratike.

“Procesi i zgjerimit mund të arrijë sukses vetëm nëse arrijmë cilësinë e duhur të reformave.”, shtoi ajo.

Kos shprehu optimizëm për perspektivën e ardhshme të rajonit, duke theksuar mundësinë e përgatitjes së një traktati të zgjerimit nëse Mali i Zi vazhdon progresin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë