Ngjarje

‘Institucionet e papërgjegjshme vrasin!’/ Qytetarët në protestë pas vrasjes së 14-vjeçarit. Motra e Egli Progës: Policia të mos bëjë gabimin që bëri me vëllanë tim(pamjet)

Nga Gazeta 'SI' - Qytetarë dhe prindër janë mbledhur sot para ministrisë së Arsimit në shenjë proteste për vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani.

Kjo është protesta e dytë ku prindërit kërkojnë që të garantohet siguria e fëmijëve të tyre në institucionet arsimore, si edhe dorëheqjen e ministres së Arsimit.

Gjatë protestës mbajti një fjalim Jonida Proga, motra e Egli Progës që u vra në Pogradec. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje për drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet për vrasjen e Martinit duke i thënë policisë që të mos bëjë “të njëjtin gabim” si me vëllanë e saj.

“I bëj thirrje policisë, mos bëj të njëjtin marifet si me vëllain tim. Gjej jataganin dhe vrasësin tjetër e të mos justifikohet. Qeveri po të thërras, po rrit kriminelë, ke përgjegjësi për atë që vrau Martinin. I bëj thirrje popullit të na bashkohen, ti bashkohen dhimbjes sonë. Mos bëni sehir por ngrihuni dhe bashkojuni Florinës”, tha Proga.

Martin Cani u vra më 18 nëntor, në mes të ditës më thikë nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshi.

Pjesë e protestës ishte dhe babai i adoleshentit të ndjerë. Ëngjëll Cani u pikas nga mediat në turmën e qytetarëve të mbledhur para Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.

Por edhe pse disa media iu afruan me mikrofon, babai i viktimës së sherrit mes adoleshentëve në shkollën "Fan Noli", nuk pranoi që të mbante një fjalim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë