Nga Gazeta ‘SI’ – Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk është i kënaqur me buxhetin që i ka caktuar qeveria.
Përballë deputëve në Komisionin e Ligjeve, kryetari i KLGJ-së, Ilir Rusi, tha se institucioni ka kërkuar 9 miliardë lekë buxhet dhe jo 6.8 mld, sa parashikon qeveria.
“Kërkesat buxhetore për Këshillin e Lartë Gjyqësor kanë qenë për një buxhetim prej 9 miliardë lekësh, ndërkohë që buxheti i planifikuar për vitin 2026 është në vlerën 6 miliardë e 800 milionë lekë me një diferencë prej 2 miliardë e 500 milionë që përbën një miratim të tanishëm sipas projektbuxhetit në vlerën e 26% më pak se buxheti i kërkuar nga KLGJ”, tha Rusi.
Ai theksoi se vetëm 7% e këtij fondi shkon për KLGJ dhe pjesa tjetër për gjykatat.
“Është më pak se i kërkuari. Në këtë 5 miliardë e 400 milionë janë shpenzime korente, e cila përbën gati 85% të buxhetimit. Duken vlera të mëdha, po realisht buxheti më i madh shkon për paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative mallra e shërbime, që janë të domosdoshme për të ushtruar detyrën”, tha Rusi duke shtuar se 900 mln lekë janë vetëm për investimet në gjykata.
“Kjo është destinuar për rikonstruksione të plota dhe të pjesshme për gjykatat, gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit, Gjykatën e Apelit Administrativ, Gjykatën e Shkallës së Parë të Posaçme, Gjykatën e Kukësit, Gjykatën e Fierit dhe për Gjykatë e Gjirokastrës”, tha ai.
Kreu i KLGJ-së bëri të ditur se është kërkuar gjetja e një trualli për të ndërtuar në një godinë të përbashkët dy gjykata, së bashku me prokuroritë, Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshme Tiranë dhe Gjykatën e Apelit.
Gjithashtu, shtoi ai, se KLGJ ka nevojë për mjedise për infrastrukturë dhe godina të reja.
Siguria nëpër gjykata ishte një shqetësim i trajtuar gjatë komisionit, ku drejtuesi Ulsi Manja kërkoi që Ministria e Financave të shtojë fondin për institucionet e drejtësisë, me qëllim rritjen e sigurisë.
Manja po ashtu bëri thirrje që qeveria t’i vendosë në dispozicion më shumë punonjës me kontratë KLGJ-së.
“Këtë do ta ndjek si kryetar komisioni. Ka institucione që kërkojnë 20 dhe rekrutojnë vetëm 10. Ju keni kërkuar 219 punonjës, qeveria jua ka dhënë 100. Kur të miratohet numri i punonjësve me kontratë, Financa t’i japë numrin më të lartë KLGJ-së. Janë 140 mijë dosje stok”, tha Manja.

Prokuroria e Përgjithshme
Prokuroria e Përgjithshme nga ana tjetër nuk shprehu ankesa mbi buxhetin vjetor.
Luan Abazi, sekretar i këtij institucioni tha se shqetësim për ta është infrastruktura dhe numri i ulët i punonjësve të sigurisë.
Deputeti Gent Strazimiri konstatoi se buxheti për këtë institucion është rritur minimalisht, 3.4%, ndërsa ngarkesa e punës së tyre me 15%. Për Abazin, buxheti i përgjigjet punës së Prokurorisë dhe nuk ka nevojë për shtesa.
Deputeti Arjan Ndoj ngriti shqetësimin se prokuroria e përgjithshme ka në përgjegjësi mbi 600 mijë dosje dhe a mundet buxheti i përcaktuar t’i mbulojë nevojat e tyre.
“1.39% e rasteve penale në shqipëri trajtohen nga SPAK, ndërsa pjesa tjetër, 98.61% nga prokuroritë e zakonshme, që janë nën varësinë tuaj. A i keni kapacitetet që t’i mbuloni gjithë këto punë? Janë më shumë se 600 mijë dosje penale. Ky volum i lartë dosjesh tek Prokuroria, dhe pse njerëzit mendojnë se SPAK-u zgjidh gjithçka. A i mbulon buxheti nevojat tuaja për ushtrimin e saktë të detyrës?”, tha Ndoji.
“Ne kemi kushtet brenda normale, vazhdojnë investimet, por prokuroritë me ngarkesën më të madhe janë në emergjencë. Ne kemi paraqitur nevojat për Prokurorinë e Tiranës, Durrësit, Fierit dhe Sarandës. Janë ngritur grupet e punës për kërkesat tona dhe shpresojmë të zgjidhet. Nuk parashikojmë dot fondet për ndërtime, për aq kohë sa nuk kemi një shesh ndërtimi”, u shpreh sekretari i Prokurorisë, Luan Abazi.
Zv.ministri Endrit Yzeiraj nga ministria e Financave tha se kërkesat e Prokurorisë do të shqyrtohen.

Gjykata Kushtetuese
Eugen Papandile, sekretar i Gjykatës Kushtetuese tha se për këtë institucion nuk është vendosur buxheti i kërkuar dhe mungojnë 75 mln lekë të nevojshme.
“Pakësimi i buxhetit nuk është dinjitoze. Kemi kërkuar shtesa për sigurinë kibernetike, për pajisjet në zyra sepse kemi shtuar numrin e punonjësve. Është i treti ose i katërti vit rresht që kërkoj 2 mln lekë fond për mbrojtjen nga zjarri për shkak të amortizimit të ndërtesës. Ne jemi komshinj me Kuvendin, po na ra neve zjarri, ju bie dhe juve”, tha Papandile në komisionin e Ligjeve.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



