Ekonomi

INSTAT: Shqipëria vendi më pak i prekur nga rritja e çmimeve në botë

Rritja e çmimeve në të gjithë botën, ka prekur në nivel më të ulët Shqipërinë, ku sipas inflacionit me metodën e Eurostat, në tetor pati 2.5% rritje, ndër nivelet më të ulëta në Europë. Rritja e përgjithshme e çmimeve në Europë për muajin tetor ishte 4.4%.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në vend është ndikuar më së shumti nga ushqimet dhe pijet joalkoolike dhe transporti me 3.9%. Komunikimi me 3%, argëtimi dhe kultura me 2.3%, hotele, kafene dhe restorante me 2%. Veshje dhe këpucë me 1.2%, shëndeti me 1%, mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje me 0.4%.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0.7%.

Në muajin Tetor 2021, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0.2 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit transporti me 1.2 %, pasuar nga grupi qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji me 0.7%, pije alkoolike dhe duhan, veshje dhe këpucë dhe argëtim dhe kulturë me 0.3% secili, komunikimi me 0.2 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupit shërbimi arsimor, hotele kafene dhe restorante dhe allra dhe shërbime të ndryshme u  ulën me 0.2 % secili, mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje me 0.1 %

Në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë