Ekonomi

INSTAT: Rritet numri i të punësuarve

Sot INSTAT publikoi anketën e tremujorit të katërt të vitit 2019 të forcave të punës. Shkalla e punësimit (pra raporti i të punësuarve kundrejt popullsisë) për popullsinë 15-64 vjeç është 61,6 %. Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2018, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 3,1 %.

Shkalla e punësimit për burrat është 68,5 %, ndërsa për gratë 54,8 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e punësimit për burrat është rritur me 1,6 pikë përqindje dhe për gratë me 1,7 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 40,6 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2019, shkalla e punësimit është 72,7 %.

Ndërsa papunësia shënoi rënie të mëtejshme gjatë tremujorit të fundit të vitit 2019, e nxitur kjo nga rritja e punësimit në sektorin e industrisë, shërbimeve dhe bujqësisë. Në tremujorin e katërt të 2019-ës, shkalla zyrtare e papunësisë (raporti i të papunëve kundrejt forcës së punës) në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,2 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2018, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 1,1 pikë përqindje, ndërkohë krahasuar me tremujorin e tretë të 2019-ës, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,2 pikë përqindje.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,3 % dhe për gratë 11,0 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e papunësisë për burrat ka rënë me 1,2 pikë përqindje, ndërsa për gratë ka rënë me 0,9 pikë përqindje.

Në tremujorin e katërt të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 69,7 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1,0 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues shënon një ulje prej 0,1 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 61,9 %, ndërsa për burrat ky tregues është 77,7 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,8 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 1,3 pikë përqindje dhe për burrat është rritur me 0,8 pikë përqindje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë