Teknologji dhe Inovacion

Instagram dhe Facebook do të trajnojnë Inteligjencën Artificiale me fotot dhe postimet tuaja

Gjiganti i mediave sociale Meta ka shkaktuar debate së fundmi me politikat e reja rreth mbledhjes së të dhënave të përdoruesve.

Kompania ka njoftuar përdoruesit e Instagramit dhe të Facebook se shumë shpejt do të nisë të vjelë informacione (përfshirë edhe fotot dhe postimet) për të trajnuar sistemet e saj të Inteligjencës Artificiale.

Megjithatë, nuk janë vetëm përdoruesit e mediave sociale që do të preken. Në një lëvizje që pritet të shkaktojë tensione, Meta po informon njerëzit që mund të përfundojë duke u procesuar të dhënat, edhe nëse nuk i përdorin shërbimet e saj.

Por a ekziston një mënyrë për ta përjashtuar veten nga këto rregulla?

Ka mënyra që mund të provoni për të shmangur grumbullimin e të dhënave tuaja. Siç kërkohet nga GDPR (Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave), Meta po i lejon përdoruesit të kundërshtojnë përdorimin e informacionit të tyre në këtë mënyrë.

Për ta bërë këtë, mund të plotësoni një formular të shkurtër në faqen e internetit të Instagram-it, i cili kërkon arsyet pse dëshironi të tërhiqeni, së bashku me disa informacione personale si vendi i banimit dhe emaili.

Meta thotë se do të “shqyrtojë kërkesat për kundërshtime në përputhje me ligjet përkatëse për mbrojtjen e të dhënave” dhe do të respektojë ankesat.

Por, pavarësisht protestave tuaja, Meta mund të përdorë ende të dhënat tuaja për të trajnuar AI-n e saj në disa raste, pavarësisht nëse përdorni platformat e saj apo jo.

Kjo do t'ju ndikojë nëse shfaqeni ose përmendeni në postimet apo fotot e shpërndara nga përdoruesit e Instagram dhe Facebook-ut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë