Autoriteti i Konkurrencës (AK) hapi një hetim paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore për të evidentuar kushtet e tregtimit të këtyre produkteve.
Nga monitorimi rezultoi se disa ndërmarrje gëzojnë të drejta ekskluzive në tregtimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve.
Këto ndërmarrje kanë realizuar importe të përbashkëta dhe kanë siguruar gjendje të produkteve në magazinë duke i shitur ato me çmime shumë më të larta se kostot e blerjes së tyre.
Në një situatë të tillë, Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur dyshime të arsyeshme se mes këtyre ndërmarrjeve ka elementë të një sjelljeje të bashkërenduar, e cila mund të përbëjë kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës në treg.
Ai gjithashtu ka vlerësuar se ekziston rreziku i kryerjes së një dëmi të pariparueshëm ndaj konkurrencës dhe urdhëroi këto ndërmarrje që t’i japin fund bashkëpunimit mes tyre.
Në rast të moszbatimit të vendimit , ndërmarrjet mund të ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.
Megjithatë, vendimi i AK nuk i saktëson emrat e ndërmarrjeve nën hetim dhe subjekt i masave të përkohshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




