Treg

Infrastruktura e kriptove po shembet

Ka qenë një vit i lig për tregjet financiare dhe akoma më i keq për kriptomonedhat. Më shumë se gjysma e kapitalit të tregut të kriptove është fshirë nga tregu që nga nëntori. Më 12 maj, Bitcoin u tregtua rreth 29 mijë dollarë, duke rënë me 40% nga vlera e tij më e lartë. Ether ka rënë po njësoj.

Vlera e stoqeve të platformës më të madhe të kriptove është tashmë sa gjysma e asaj që ishte një javë më parë.

Pjesa më e madhe e teknologjisë e kriptosferës është ende befasuese për shumicën e njerëzve në financat tradicionale. Megjithatë dinamika e ditëve të fundit mban shenja të kolapsit spektakolar financiar të dikurshëm. Merrni atë që ka ndodhur me monedhat e qëndrueshme (stablecoins), një lloj kriptomonedhe që është e lidhur me një monedhë tjetër, ndonjëherë një monedhë konvencionale si dollari. Këto janë pjesë e mekanikës së sistemit të kriptove: ato veprojnë si një urë lidhëse midis bankave konvencionale, ku njerëzit përdorin dollarë, dhe botës online ku njerëzit përdorin kriptomonedhat. Është ndërveprimi i stablecoins me financat tradicionale që ka bërë që rregullatorët të shqetësohen për ndikimin që mund të kenë në stabilitetin financiar.

Të gjitha stablecoins-at, ku më e madhja është Tether dhe USD coin, vlejnë rreth 170 mld dollarë. Terra, një stablecoin më e vogël me vlerë totatle 18.7 mld dollarë është rrëzuar në ditët e fundit. Ngjarjet i ngjajnë krizave të besimit që i kanë paraprirë çdo banke.

Çdo stablecoin ka një mekanizëm të mbajë vlerën e fiksuar. Mënyra më e thjeshtë dhe e sigurtë është të mbash 1 dollar për 1 stablecoin. Një e tillë mund të tregtohet lirshëm midis shitësve dhe blerësve. Kur një shitës dëshiron ta dorëzojë stablecoin-in e tij, e shet në treg të hapur ose e këmben me 1 dollarëshin që i ka kaluar shitësit. USDcoin e përdor këtë metodë.

Të tjera si Terra, quhen monedha algoritmike, sepse ata përdorin një proces të automatizuar për të mbështetur vlerën e fiksuar. Por tipar dallues është mënyra se si kjo ndodh.

Terra mbështetet nga Luna, një kriptomonedhë e lëshuar nga e njëjta firmë. Në teori, një mbajtës i Terra-s, mund ta këmbente atë me 1 dollar vlerë të Luna-s. Një javë më parë, Luna tregtohej 85 dollarë për copë, që do të thoshte se një mbajtës i Terra-s mund ta këmbente për 0.0118 Luna.

Procesi menaxhohej nga një bllok me kode që ekzekutonin transaksionet automatike që krijonin më shumë Luna kur një blerës i Terra-s dëshironte ta këmbente. Nëse për ndonjë arsye Terra tregtohej me më pak se 1 dollarë, atëherë arbitrazhët do të hynin, do të blinin një Terra, do ta këmbenin për Luna dhe do t’i shisnin për një fitim më të madh.

Ky sistem funksiononte shumë mirë përderisa dhe Luna kishte një vlerë tregu. Por më 9 maj, çmimi i Luna-s nisi të rrëshqiste. Më 10 maj ishte 30 dollarë. Ditën tjetër shkoi 1.5 dollarë. Momentalisht po tregtohet me 3 cent. Me rënien e Lunës, njerëzit shitën edhe Terra-n dhe arbitrazhët nuk mundën të përfitojnë më.

Është e paqartë se çfarë do të ndodhë tani me Terra-n. Vlera totale e saj ka rënë në 4.5 mld. Themeluesit e saj po mendojnë të shesin Bitcoin-et që kanë rezervë.

Megjithatë, dështimi i sistemit Terra-and-Luna nuk vjen në një kohë të favorshme. Fakti që rënia në kriptomonedha ka trazuar monedhat e qëndrueshme, pjesë shumë e rëndësishme e financave të kriptove, që zbulon se ky sistem është i paluhatshëm. Madje, mund të luhasë edhe sistemet financiare. Çrregullimet e tregut të aksioneve dhe obligacioneve kanë bërë që disa emetues të rrezikshëm të vonojnë shitjet e planifikuara të borxhit, duke përmendur “kushtet e dobëta të tregut”. Të tjerët nuk mund të tërhiqnin investitorë edhe me yield-e dyshifrore. Epoka e parave të lira në Amerikë ka marrë fund dhe krisat po shfaqen në të gjitha llojet e tregjeve financiare.

Burimi: The Economist/ Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë