Ekonomi

Infrastruktura anulon “Milot-Fier”, oferta nuk përputhej me kriteret e shpallura

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka anuluar tenderin për projektimin dhe ndertimin e rrugës Milot-Fier.

Ky vendimi është marrë pak ditë më parë dhe është botuar në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Projekti me vlerë 1.18 miliard dollarë është anuluar me argumentin se oferta e paraqitur nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentacionin e tenderit.

Pra kompania ka ofruar ta ndërtojë veprën për 96 muaj, teksa kriteri i përcaktuar ishte për 60.

Gara ndërkombëtare për këtë vepër do të çelej më 1 korrik.

Projekti i fizibilitetit do të prezantohej nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku e cila do të bënte me dije se investimi prej 1,2 mld eurosh që do të nisë më 2024-ën do të jetë me mekanizmin Partneritet Publik Privat dhe do të zgjasë për 35 vite.

Sipas Ballukut ky aks përbën pjesën më të rëndësishme të korridorit dhe zë 37% të tij.

Niset nga Miloti deri në By Passin e Fieirt po me synim për ta shtuar edhe në veri

Sipas projektit, 53 km do të jenë gjurmë rruge të reja dhe 62 km rehabilitim të kategorisë A dhe B të rrugëve ekzistuese. Ajo që është e rëndësishme, do të shoqërohen me rrugë alternative pa pagesë.

Ministrja tha se Milot – Fier do të jetë me pagesë dhe llogaritë për tarifën janë bërë duke marrë parasysh pagën mesatare. Tarifa do të jetë 0,075 euro për km për makinë.

Shteti në këtë projekt PPP do të garantojë në 16 vitet e para 10% të vlerës së investimit në skenarin më të keq nëse ai nuk realizohet sipas kontratës së nënshkruar.

Trafiku i parashikuar për vitin e parë është 32 makina për tu dy-fishuar në 2055-ën.

Shpejtësia maksimale që do të aplikohet është 110 km në orë dhe i gjithë korridori nga Miloti në By pasin e Fierit do të përshkohet për 1 orë e 15 minuta duke u bashkuar edhe me pjesët e tjera të projekteve të përfunduara Levan-Fier dhe By-pasi i Fierit.

Projekti do të kundërshtohej fort nga opozita si një farsë që do të dështonte.

“Në zyrat e qeverisë shqiptare këto ditë po përgatitet farsa e një tjetër koncesioni, i destinuar të dështojë. Rruga Milot-Fier, me çmimin stratosferik 1.2 miliard euro, ka vetëm një ofertues dhe kjo është është kompania greke Terna. Ka shkuar pikë për pikë siç e kemi parashikuar ne, që në shkurt, akoma pa u hapur tenderi farsë. Belinda Balluku nuk iu përgjigj atëherë pyetjes se çfarë e lidh me kompaninë greke. As sot nuk është në gjendje të shpjegojë pse vetëm kompania greke mori pjesë në tenderin që ajo dhe Edi Rama e shpallën me bujë të madhe disa javë më parë.”- do të thoshte pak kohë më parë ish deputeti democrat Enkelejd Alibeaj duke e konsideruar këtë koncesioni si një masakër financiare për qytetarët. “Qeveria në ikje kërkon që çdo automjet që kalon në këtë rrugë, të paguajë të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje”, do të thoshte Enkelejd Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë