Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë dhe të fundit në grupin B të Kampionatit Europian ndaj Spanjës. Një sfidë vendimtare ku kuqezinjtë do të kërkojnë kualifikimin për në raundin e 1/16-ave. Ndeshja do të luhet në stadiumin e Dyseldorfit i cili do të pushtohet nga tifozët e shumtë shqiptarë që do të mbështesin deri në fund Kombëtaren për të arritur një rezultat historik.
Dyert për tifozët në stadiumin e Dyseldorfit do të hapen 3 orë para fillimit të ndeshjes dhe procedura për t’u futur në stadium do të jetë e njëjtë. Biletat e ndeshjes ndodhen vetëm në aplikacionin “UEFA Mobile Tickets”. Kodi QR i biletës do të shfaqet pak përpara hapjes së dyerve të stadiumit. Biletat tuaja do të kontrollohen nga stafi i stadiumit në vend kontrollin e biletave, skanojeni biletën dhe drejtohuni për në vendin tuaj.
Të gjithë tifozët që do të ndjekin ndeshjen nga stadiumi duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara nga UEFA. Për të parandaluar çdo lloj problemi dhe penalizimi të gjithë tifozët duhet të shmangin ndezjen e flakadanëve gjatë ndeshjes, hedhjen e sendeve në fushë, transmetimin e mesazheve me natyrë jo sportive (politike, etnike, etj) si edhe ndërprerjen e ndeshjes./Supersport
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.