Ekonomi

Inflacioni u rrit me 1.9% gjatë tetorit

Nga Gazeta ‘SI’ – Inflacioni në vend gjatë muajit tetor raportohet në nivelin e 1.9%, aq sa edhe në muajin shtator.

Një vit më parë ky tregues ishte 3.8%.

INSTAT raporton se grupi i argëtimit dhe kulturës, ka pasur rritjen më të fortë vjetore, 5%, pasuar nga  pijet alkoolike dhe duhani me 3.6%, veshjet e këpucët me 3.5% dhe ushqimet me 3.1%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 8.3 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4 %, “mish” me 3.9 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.2 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 1.8 %, etj

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 5.3 %.

Krahasuar me muajin shtator 2024, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” dhe “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 0.4 % secili, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.3 % secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.2 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0.1 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 0.5 %, pasuar nga grupi Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.2 %


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë