Para

Inflacioni tejkalon objektivin e BQE-së për herë të parë që nga viti 2018

Inflacioni i zonës euro u rrit me 2% në maj, hera e parë që norma ka tejkaluar objektivin e Bankës Qendrore Europiane në më shumë se dy vjet, duke komplikuar vendimin e politikëbërësve javën e ardhshme nëse do të mbajë politikën e saj ultra të lirshme monetare.

Një rritje prej 13.1% e çmimeve të energjisë gjatë vitit të kaluar ishte faktori kryesor që çoi indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit në bllokun me 19 vende, në nivelin më të lartë që nga tetori 2018, sipas Eurostat.

Këshilli drejtues i BQE do të mblidhet në 10 qershor për të vendosur nëse do të rregullojë politikën e saj monetare – përfshirë ritmin e përshpejtuar së fundmi të blerjes së obligacioneve – në përgjigje të shenjave që tregojnë se aktiviteti ekonomik dhe çmimet po rriten ndërsa masat e bllokimit të Covid-19 janë lehtësuar.

Inflacioni në zonën e euros është rikthyer pas disa muajsh nën zero vitin e kaluar, duke bërë që shumica e ekonomistëve të parashikojnë se do të tejkalojë objektivin e BQE-së “afër, por nën, 2 përqind” këtë vit. Kjo ka të ngjarë të nxisë thirrje që banka qendrore të fillojë të frenojë stimulin e saj monetar.

Sidoqoftë, disa politikëbërës të BQE-së, përfshirë presidenten e saj Christine Lagarde, kanë thënë që rritja e fundit e inflacionit është vetëm një fenomen i përkohshëm, i nxitur nga efektet e njëhershme dhe parashikoi që ai do të zbehet vitin e ardhshëm, duke kërkuar që politika e saj të mbetet shumë akomoduese.

Inflacioni bazë, duke përjashtuar çmimet më të paqëndrueshme të energjisë, ushqimit, alkoolit dhe duhanit, u rrit më modest sesa shifra kryesore, duke u rritur nga 0.7% në prill në 0.9% në maj.

Çmimet në sektorin e shërbimeve të rajonit, të cilat janë peshuar nga bllokimet e shkaktuara nga Covid-19, u rritën me 1.1%.

Burimi: Financial Times/ Përshtati Gazeta “SI”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë