Ekonomi

Inflacioni ra në mars nga ulja e çmimit të naftës, por ushqimet dhe shërbimet vazhdojnë rritjen

Nga Gazeta ‘SI’ – Inflacioni gjatë muajit mars 2023 zbriti me 0.7% nga shkurti 2023 duke shënuar rënien më të madh në një vit. Në raport vjetor, inflacioni iu afruar nivelit të marsit 2022, 5.3%, kur sapo kishin nisur efektet e para të rritjes së çmimeve.

Nga shkurti në mars, inflacioni duket së ka rënë si pasojë e uljes së çmimeve të naftës (transportit) me 1%, pasi të gjitha grupet e tjera kanë pësuar rritje.

Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë rritur me 1.7%, në mars, pasuar nga grupi argëtim dhe kulturë me 1.6% dhe pije alkoolike dhe duhan me 0.6%.

Në raport vjetor, transporti është ulur me 7.5% dhe ushqimet e pijet joalkoolike janë rritur me 11%,  pasuar nga grupet mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë me 6.6%, argëtim dhe kulturë me 4.7%, hotele, kafene dhe restorante  me 4.6%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 21%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 16%, “zarzavate përfshirë patatet” me 14%, “mish” me 1%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 8%, “bukë dhe drithëra” me 5.6%, etj.

Gjithsesi, Banka e Shqipërisë dhe ministria e Financave nuk parashikojnë një normalizim të inflacionit deri vitin që vjen. BSH çoi në 3% normën bazë të interesit pak ditë më parë, pikërisht si masë kundrejt inflacionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë