Nga Gazeta ‘Si’-Inflacioni në vend ka shënuar sërish rënie. Për muajin prill, inflacioni ra në 4.6% duke u ulur me 0.7%.
Në të njëjtën periudhë të vitit më parë inflacioni ishte 6.2%.
Tendenca rënëse është ndikuar më së shumti nga rënia e çmimeve të karburanteve, që në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar ishin rreth 240 lekë për litër, ndërsa këtë vit kanë zbritur poshtë 180 lekëve.
Por çmimet e ushqimeve vijojnë të udhëheqin rritjen dhe të ngelen të shtrenjta, duke dhënë ndikimin kryesor në inflacion.
Në raport vjetor, rritja më e madhe e çmimeve është ndikuar sërish nga grupi i ushqimeve dhe pijeve me 3.43% pasuar nga nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.48%.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” janë rritur me 0.44%.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 15.5 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 13.5 %, “mish” me 12.3 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 10.7 %, “fruta” me 7.7 %, “bukë dhe drithra” me 5.6 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 4.9 %.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë dhe ministria e Financave nuk parashikojnë një normalizim të inflacionit deri në mesin e vitit që vjen.
BSH çoi në 3% normën bazë të interesit si masë kundrejt inflacionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.