Treg

Inflacioni në tetor 8.3%, transporti dhe ushqimi rritjen më të madhe

 Inflacioni në Shqipëri për muajin tetor arriti në 8.3%, ndikuar nga rritja e grupit të transportit dhe nga rritja e grupit të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike.

Krahasuar me tetorin e vitit të shkuar, rritja e çmimeve në këto dy grupe është përkatësisht me 16.9% dhe me 14.6% ndërsa me një muaj më parë, ndryshimi është me 1.5% dhe 0.4%.

Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit për tetorin është 0.4%, nga shtatori. Në të njëjtin muaj të vitit të shkuar, inflacioni ishte 2.4%.Ky është niveli më i lartë që nga viti 1988.

Banka e Shqipërisë ka rritur ndërkohë pesë herë normën bazë në ekonomi, në një përpjekje për të luftuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve në vend. Nga niveli më i ulët historik që ishte në shkurt të këtij viti, prej 0.25%, norma bazë arriti në fund të tetorit në 2.75%.

Sejko tha se, “qëndrimi i politikës monetare është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Në këtë këndvështrim, ai i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe përmirësimit të mirëqenies sociale”.

Nisur nga zhvillimet aktuale, Këshilli Mbikëqyrës theksoi se cikli normalizues i politikës monetare do të vijojë edhe në të ardhmen e afërt. Në çdo rast, shpejtësia e normalizimit do të jetë në përputhje me të dhënat e reja dhe e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit.

“Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në kohë implikimet për ecurinë e inflacionit dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për administrimin efektiv të saj”, deklaroi Sejko.

Sipas Eurostat Inflacioni në eurozonë vlerësohet të ketë arritur një nivel të ri rekord prej 10.7% në tetor, një rekord maksimal historik


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë