Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë muajit gusht, inflacioni në Shqipëri, i matur sipas Eurostat, ka rezultuar 4.7%, 0.7% më ilartë se matjet e Instat.
Sipas INSTAT ndryshimi vjetor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin gusht 2023 është 4.7% nga 4% sipas metodologjisë vendase.
Rritja më e madhe e çmimeve prej e 8.2% vërehet në grupin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, ndjekur nga mobiljet e pajisjet shtëpiake me 6.3%. Argëtimi dhe kultura u rrit me 6.1% dhe hotelet/kafene me 4.6%.
LEXO EDHE:
Inflacioni në gusht ra, por çmimet nuk u ulën. Ushqimet pësuan shtrenjtimin më të fortë
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 5.6% lidhur kjo me rritjen e fortë të naftës një vit më parë dhe stabilizimin gjatë këtij viti.
Por në raport mujor, ky grup është rritur me 1.5%, ndikuar po nga lëvizjet e naftës gjatë verës.
Inflacioni mesatar në BE ishte 5.9% në gusht.
Në vendet e BE-së inflacioni është ulur me ritme shumë të shpejta se në Shqipëri. BE-ja u përball me rritje të çmimeve me ritme dyshifrore vitin e kaluar të nxituara nga çmimet e larta të energjisë, teksa në Shqipëria rritja e çmimeve vazhdon të drejtohet nga ushqimet.
Hungaria raportohet të ketë inflacion më të lartë në Europë, 14%, ndërsa Zvicra më të ulëtin, pak më pak se 2%.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra.
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



