Ekonomi

Rritja e çmimeve mbetet e qëndrueshme

Nga Gazeta ‘SI’ – Inflacioni në muajin korrik raportohet 2.1%, aq sa ishte edhe gjatë qershorit.

Në raport vjetor, inflacioni në total është 2 pikë përqindje më i ulët, por kjo nuk reflekton rënie të çmimeve.

INSTAT tregon se nga një vit më parë, të gjitha grupet e shportës kanë vijuar shtrenjtimit. Mobiljet dhe pajisjet shtëpiake janë rritur me 3.5%, ndjekur nga veshjet dhe këpucët me 3.3%.

Çmimi i pijeve alkoolike e duhanit është rritur me 3.1%. Ushqimet janë shtrenjtuar me 1.9%, por nga nëngrupet, çmimi i peshkut ka një rritje me 5.4% në raport vjetor dhe bulmeti e vezët me 3.5%.

Ndërsa në raport mujor, nga qershori në korrik, çmimet e ushqimeve dhe aktiviteteve argëtuese janë ulur lehtë me 0.7% dhe 0.5% respektivisht.

Inflacioni ra shpejt nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% duke nxitur kështu një reduktim të normës bazë të interesit me 0.25%. BSH thotë se inflacioni është zbutur ndjeshëm për shkak të kursit të këmbimit dhe rënies së stimujve të jashtëm, por thekson se rritja e pagave në nivel kombëtar është presion i shtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë