Ritmi vjetor i inflacionit në SHBA, mendohet të jetë zbutur në nivelin më të ulët, në më shumë se dy vjet, por trysnitë e vazhdueshme të çmimeve, ndoshta do ta detyrojnë Rezervën Federale (FED) të konsiderojë rritje shtesë të normave të interesit.
Indeksi i çmimeve të konsumit, parashikohet të jetë 4.1% në maj. Kjo do të ishte shumë më e ngadaltë se rritja prej 4.9%, e regjistruar në prill dhe do të shënonte nivelin më të ulët, që nga marsi 2021. Në baza mujore, çmimet e konsumit vlerësohet të jenë rritur vetëm 0.1%.
Megjithatë, sapo artikujt e paqëndrueshëm si ushqimi dhe energjia të hiqen, Indeksi i çmimit të konsumatorit pritet të jetë rritur me 0.4% në maj – në përputhje me rritjen e prillit. Kjo do të përkthehej në rritje vjetore 5.2%.
Raporti do të publikohet nga Byroja e Statistikave të Punës, pak përpara se Fed të nisë mbledhjen dy-ditore të politikave.
Komiteti Federal i Tregut të Hapur, pritet gjerësisht të heqë dorë nga një rritje e normës së interesit këtë javë, pas 10 lëvizjeve të njëpasnjëshme që nga marsi 2022, por të lërë të hapur mundësinë për shtrëngim të mëtejshëm këtë vit.
Në një fjalim të fundit, guvernatori i Fed, Philip Jefferson, mbështeti idenë e një pushimi, duke thënë se kjo do t’u jepte zyrtarëve kohë për të vlerësuar të dhënat hyrëse, efektet e shtrëngimit të shpejtë monetar të Fed gjatë 15 muajve të fundit dhe pasojat e stresit të fundit bankar.
Për më tepër, Jefferson, i cili u emërua nga administrata Biden si nënkryetari i ardhshëm i Fed, theksoi se një pushim në qershor “nuk duhet të interpretohet, se kemi arritur normën maksimale për këtë cikël”.
Disa zyrtarë kanë sinjalizuar, se nuk mendojnë se niveli aktual i normës së fondeve federale, i cili lëviz midis 5 % dhe 5.25 %, është mjaft i lartë për të ulur kërkesën në shkallën e nevojshme, për të zbutur një nga episodet më të këqija inflacioniste në dekada.
Ekonomistët besojnë se Fed përfundimisht, do t’i duhet të rrisë normën bazë në 5.5% deri në 6%. Kjo sugjeron të paktën dy herë më shumë rritje të normës tremujore këtë vit.
Krahasuar me sondazhin e mëparshëm të muajit mars, vlerësimi mesatar i indeksit të çmimeve të shpenzimeve të konsumit personal, pasi të hiqen kostot e ushqimit dhe energjisë – matësi i favorizuar i inflacionit nga Fed – u zhvendos 0.2 pikë përqindjeje më lart, në 4%, deri në fund të vitit.
Që nga prilli, ai regjistroi ritëm vjetor prej 4.7%, shumë mbi objektivin prej 2% të Fed.
Burimi: Financial Times/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




